Nga: KLODIANA LALA*TIRANE-Italiani Salvatore Leticia, i dyshuar si i përfshirë në ekzekutimin e trefishtë të ndodhur në Tiranë, ishte i pari që u përball me gjykatësin Sandër Simoni, ku u njoh me akuzën zyrtare dhe mandej me masën e sigurisë. Në fytyrë, 34-vjeçarit italian, që njihet si pjesë e klanit Quaqquarone në Caserta dhe një pikë e rëndësishme referimi për Kamorrën, i dalloheshin qartë shenjat e përplasjes me makinë, pasi Markeljan Doçi, me shpresën për të parandaluar vrasjen e xhaxhait të tij, e goditi Letician me makinë.

“Jam i lindur në Kazerta. Jam me dhjetë klasë shkollë. Me profesion murator. Kur isha minoren, jam dënuar për drogë, armë dhe vjedhje”, tha Leticia para gjykatës. Por më pas, nuk preferoi të fliste lidhur me përfshirjen e tij në masakrën e ndodhur pasditen e 27 majit përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. “Nuk preferoj të flas në këto momente. Do jap shpjegime në një kohë të mëvonshme, pasi të konsultohem me avokatin tim”, – tha Leticia, i cili dyshohet për veprën penale të “Vrasjes për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim. Prokurori Gentian Trenova i tha gjykatësit Simoni, se i dyshuari Leticia ka pranuar se ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe ka qëlluar me armën e tij pistoletë në drejtim të Mentor Doçit (Lufit). Gjithashtu, sipas prokurorit, ai ka shpjeguar miqësinë që kishte me vëllezërit tashmë të vrarë, Besnik e Durim Sulku, si dhe arsyet e udhëtimit në Shqipëri, e mjaft detaje të tjera. “Pas ndalimit, – theksoi prokurori, – Leticia i ka treguar policisë edhe vendin se ku kishte hedhur armën pistoletë, konkretisht në një shkurre pranë hotelit ku ishte strehuar.”

Pasi dëgjoi pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtjes, gjykatësi vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Leticia-s. Më pas, në dy seanca të ndara, edhe dy vëllezërit Markeljan e Klejvi Doçi, të dyshuar për “Vrasje për gjakmarrje”, në bashkëpunim, në dëm të Durim e Besnik Sulkut, mësuan fatin e tyre. Një përgjim ambiental i realizuar në qelitë e paraburgimit, ku të dyshuarit flasin për vrasjen e Durim Sulkut në Holandë, duket se është një provë e fortë fajësie për përfshirjen e tyre në krimin e rëndë. Ndërkaq, prokurori Trenova tha se nga Policia e Shtetit u janë vënë në dispozicion informacionet e ardhura nga Holanda për përfshirjen e tyre në krim. Sa i përket vrasjes së ndodhur në Tiranë, sipas prokurorisë, nuk ka asnjë dyshim që Markeljan Doçi vrau për motive gjakmarrje.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: