Ky është Ilario Lavarra nga Italia dhe ka shëtitur 102 shtete të botës me motorin e tij Vespa të vitit 1968. Sëfundmi Ilario ka mbërritur edhe në Shqipëri në turin e tij rreth botës me dashurinë e tij, Vespen. Pas Tiranës 39-vjeçari ka zgjedhur Shkodrën për të qëndruar pak ditë. Ilario në katër vitet e fundit nuk është ndalur aspak duke përshkuar përveç shteteve të Europës edhe Afrikën, Azinë. “Qe kur mbusha 16 vjeç kam pasur motorin tim 50 kubikësh. Sot jam 39 vjeç, pra kam 23 vite me motor. Nuk jam mërzitur asnjëherë absolutisht. Në 4 vitet e fundit jam duke bërë një udhëtim të madh me rreth 130 mijë kilometra kam përshkuar 79 shtete. Para 10 viteve kam bërë edhe një udhëtim tjetër dhe kam përshkuar 23 shtete në Amerikë, pra në total deri tani kam shkelur në 102 shtete të ndryshme të botës”.

39-vjeçari ndodhet për herë të parë në Shqipëri ndërsa qyteti që i pëlqeu më shumë është Shkodra ku kaloi tre ditë me grupin e Vespave ndërsa bënë një udhëtim të gjithë bashkë nga qendra deri në Shirokë…
“Kam kohë që kam dashur që ta vizitoj Shqipërinë. Kam dëgjuar shumë për këtë vend. Në Itali kam shumë miq shqiptar por është hera e parë që ndodhem në Shqipëri. Pashë njerëz shumë mikëpritës, shumë të dashur dhe po më pëlqejnë shumë. Qyteti i Shkodrës ishte një surprizë. Një vend me shumë kulturë, me peizazhe, pamje të bukura dhe më duk si qershia mbi tortë, vendi më i bukur në Shqipëri”.

Vështirësitë janë gjithnjë të pranishme kur përshkon botën me një motor Vespa 53 vjeçar. “Kam patur momente të vështira gjatë këtij udhëtimi 4-vjeçar, kam patur edhe probleme shëndetësore, kam kaluar tifon, kam kaluar malarjen. Në Afrikë infektimi nga malarja më ka ardhur nga mushkonjat sepse është shumë mundshme për të ndodhur një gjë e tillë. Nuk është hera e parë që u sëmura sepse ka patur raste kur kam ngrënë gjëra të gabuara dhe kam patur probleme.”, pohoi ai.

Kjo foto është udhëtimi i Ilarios në një rrugë prej 100 km të gjatë e mbushur me ujë që u desh ta bënte në këmbë duke tërhequr edhe motorin. Kjo tabelë tregon se hienat janë të pranishme por Ilario rrezikoi në udhëtimin e tij apo edhe prania e këtij elefanti në një udhëtim tjetër. Asnjëherë shtetet nuk janë ashtu siç i mendon. Nigeria dhe Kameruni kanë surprizuar Ilarion.

“Nigeria është një prej atyre vendeve që thonë se është i rrezikshëm. unë kam qëndruar në pjesën jugore të Nigerisë që është komplet e qetë dhe pa probleme dhe më pas kam kaluar në Kamerun. Kameruni ishte një vend në luftë dhe me probleme krahasuar me përshtypjen që kisha. Gjithmonë kur je në udhëtim të tillë nuk e di kurrë nëse do kthehesh apo jo”, tha ai. I pyetur se çfarë do të bëjë pasi të vizitojë të gjithë shtetet e botës Ilario e ka një përgjigje. “Mendoj të bëj një udhëtim drejt hënës”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb