Hetimet për të shumëkërkuarin Sokol Xhura në shtëpinë e të cilit u gjet i fshehur një arsenal i tërë armësh e municionesh, shtrihen deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I penduari i drejtësisë, Enver Jamaku iu tha hetuesve se të paktën 7 pistoleta “Glock”, të cilët u zbuluan në bazën brenda ish-artistikes Migjeni në Tiranë, Sokol Xhura i kishte sjellë nga Amerika.

“Pistoletat i sillte pjesë-pjesë. Disa pjesë i sillte me postë ne emrin e Akil Kullës, ndërsa pjesë të tjera i fuste brenda automjeteve që sillte prej andej”, thotë i penduari.

Ai thotë se ra në dijeni të bazës, kur në shtator të 2020, Sokoli i kërkoi t’i bënte montimin e disa dërrasave tek ish-Artistikja Migjeni, ku do të vendoste armë.
“Në anën e djathtë të këtij ambienti unë kam vendosur rreth 30 kallashnikovë. Mbi derën e hyrjes është e varur një armë snajper “dragonov”, të cilin Sokoli më ka thënë se qe ka marrë te Petrit Shera. Ky i fundit i siguronte armët me lidhjet e tij në Malin e Zi”, tregon ai.

I penduari Jamaku ka shpjeguar se disa prej armëve i përkisnin ushtrisë.
“Disa prej armëve i siguronte Akil Kulla tek uzina e riparimit të armëve ku është i punësuar. Armët e institucioneve që i dërgonin për riparim, i ndërronin me armë të tjera të Sokolit, duke iu ndërruar numrat. Këtë e bënin kundrejt një shumë prej 15 mijë lekësh që ia merrnin Sokolit”, shpjegon Jamaku.

I penduari ka rrëfyer me detaje vendndodhjen e ambienteve ku Algert Hysa, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa, bënin modifikimin e armëve duke u vënë silenciatorë sipas porosive apo u pastronin ndryshkun që të dukeshin si të reja. Enver Jamaku thotë se edhe vetë ka bashkëpunuar me Algert Hysën i njohur si Zhupani ose biondi. “Kam rënë dakord që të gjeja armë dhe i çoja për modifikim kundrejt pagesës dhe më pas i shisja për të fituar. Çmimet shkonin nga 1300 deri në 1500 euro”, e përmbyll ai dëshminë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb