Ushtria izraelite njoftoi në orët e para të së hënës se po kryen një operacion në spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës. Njësitë ushtarake “po kryejnë një operacion të shënjestruar në zonën e spitalit”, thanë burimet ushtarake, duke shtuar se ata e nisën operacionin për shkak të “informacioneve që tregojnë se spitali po përdoret nga terroristë të rangut të lartë të Hamasit”.

Dëshmitarët okularë konfirmuan për AFP se bombardimet ajrore po vazhdonin në lagjen Ar Rimal, ku ndodhet objekti shëndetësor, dhe prania e forcave tokësore, “tanke” që rrethojnë kompleksin e ndërtesës.

Ushtarët izraelitë u urdhëruan të vepronin “me maturi” dhe të merrnin “masa” për të “shmangur lëndimin e pacientëve, civilëve, personelit mjekësor”, tha një zëdhënës i ushtrisë. Pacientët dhe stafi nuk do të detyrohen të “largohen me nxitim” nga objekti shëndetësor, siguroi ai.

Ushtria izraelite kishte pushtuar tashmë spitalin më 15 nëntor, pavarësisht reagimeve të forta ndërkombëtare. Sifa nuk funksionon më përveç një minimumi dhe me staf të reduktuar. Banorët e lagjes në qendër të qytetit të Gazës thanë se aty ndodhen mbi 45 tanke dhe transportues të blinduar. Disa folën për “betejat” rreth spitalit. Anëtarët arabishtfolës të ushtrisë izraelite urdhëruan banorët të qëndronin brenda, ndërsa dëshmitarët okularë thanë se “dronët hapën zjarr mbi njerëzit në rrugët afër spitalit”.

Shërbimi për shtyp i qeverisë së Hamasit raportoi se spitali Shifa po bombardohej dhe theksoi se “dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur me forcë” ishin strehuar në kompleksin e ndërtesave.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: