Të paktën 12 persona humbën jetën nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit, pavarësisht se armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdon të jetë zyrtarisht në fuqi.
Sulmet ndodhën në një moment kur SHBA po përpiqet të rifillojë kontaktet diplomatike mes palëve. Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit bëri të ditur se më 14 dhe 15 maj do të zhvillohen bisedime në Washington, D.C. me synimin për të hapur rrugën drejt negociatave më të gjera për paqe.
Sipas autoriteteve libaneze, avionët izraelitë goditën disa komunitete në zonën e Nabatieh, pasi më herët ishin lëshuar paralajmërime për evakuimin e civilëve.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi se 11 persona, mes tyre edhe dy fëmijë, u vranë në tre fshatra të rajonit. Një tjetër viktimë ishte një anëtar i ekuipazhit të ambulancës së Islamic Health Committee, i cili humbi jetën në një sulm në zonën e Marjayoun. Një tjetër punonjës i ekipeve të shpëtimit mbeti i plagosur.
Vetëm një ditë më parë, 11 persona të tjerë u vranë nga bombardimet izraelite në jug dhe lindje të Libanit.
Armëpushimi në rrezik
Megjithëse armëpushimi u shpall nga Uashingtoni në mesin e prillit, përplasjet mes palëve nuk kanë pushuar plotësisht. Kontaktet diplomatike të zhvilluara në nivel ambasadorësh në Uashington ishin të parat pas 33 vitesh, ndërsa Libani dhe Izraeli teknikisht mbeten në gjendje lufte që prej vitit 1948.
Të mërkurën, Izraeli kreu edhe sulmin e parë në gati një muaj në jug të Beirut, zonë e konsideruar bastion i Hezbollahut. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se gjatë operacionit ishte vrarë një anëtar i lartë i krahut ushtarak të grupit.
Ndërkohë, presidenti libanez Joseph Aoun theksoi se nuk mund të ketë një samit me Izraelin pa ndërprerjen e sulmeve dhe pa një marrëveshje sigurie.
Hezbollahu ka akuzuar qeverinë e Bejrutit për “dorëzim”, ndërsa kundërshtarët politikë të grupit e fajësojnë lëvizjen shiite për përfshirjen e Libanit në konflikt, pas sulmeve të nisura në mbështetje të Iranit.
Sipas autoriteteve libaneze, operacionet ushtarake izraelite në muajt e fundit kanë shkaktuar mbi 2,700 viktima, më shumë se 8,200 të plagosur dhe zhvendosjen e mbi një milion personave.
