TIRANE- Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2016 ishte 2.886.026 banorë, duke pësuar një rënie prej 6.276 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2015.

Sipas publikimit më të fundit të Institutit të Statistikave, INSTAT, nga kjo popullsi, 1.461.326 janë meshkuj dhe 1.424.700 janë femra. Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102,6 meshkuj për çdo 100 femra. Mosha mesatare e popullsisë, bën të ditur INSTAT, është 34.7 vjeç.

Ngjarjet demografike dhe ndikimi i tyre në ndryshimin vjetor të popullsisë.
Lindjet: Gjatë vitit 2015 numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 33.221, nga të cilët 17.365 ishin meshkuj dhe 15.856 ishin femra. Raporti gjinor në lindje për vitin 2015 ishte 109,5 meshkuj për çdo 100 femra.

Vdekjet: Gjatë vitit 2015 në Shqipëri kanë ndodhur 22.422 vdekje, nga të cilat 11.839 ishin meshkuj dhe 10.583 ishin femra. Shtesa natyrore për vitin e kaluar ka qenë 10.799 persona.

Emigrimi: Në vitin 2015, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 42.922 persona ku 52,6 % e zinin meshkujt.

Imigrimi: Në të njëjtin vit numri i imigrantëve në Shqipëri u vlerësua të jetë 25.846 persona. Migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë -17.076.

Rrjedhimisht popullsia e Shqipërisë ka pësuar një rënie prej 6.277 personash (10.799 shtesa natyrore -17.076 migracioni neto).

Ndryshimet vjetore të komponentëve demografikë
Gjatë vitit 2015 numri i lindjeve ka pësuar një rënie prej 2.539 lindje ndërkohë numri i vdekjeve është rritur me rreth 1700 persona krahasuar me vitin 2014. Gjatë vitit 2015 migracioni neto në Shqipëri në krahasim me vitin 2014 pësoi rënie me rreth 1000 persona.

Popullsia më 1 janar 2016 sipas qarqeve
Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana me 811.649 (28,1%) banorë, e ndjekur nga Fieri me 312.488 (10,8%) dhe Elbasani me 298.913 (10,4%) banorë. Qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 70.331, 84.035 dhe 134.153 banorë.

Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie. Qarku me rritjen më të madhe të popullsisë është Tirana me një rritje vjetore prej 1,36 %, ndërsa qarku me rënien më të lartë të popullsisë është Gjirokastra me një rënie vjetore prej 2,57 %. Qarku me raportin gjinor më të lartë është Dibra me 108,0 meshkuj për 100 femra, ndërkohë që në qarkun e Tiranës ky raport është më i ulëti me 99,5 meshkuj për 100 femra.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: