TIRANE- Grida Duma shprehet e bindur se ka dalë “e fituar” në debatin e mbrëmshëm përballë Luan Ramës, ku ky i fundit ‘i dedikoi’ dhe një poezi. Ja çfarë shkruan Duma: Miq të dashur, përballjet dhe përbaltjet që na solli zbatica politike në momentet e fundit ndërtuan murin tjetër të pengesës për njerëzit që duan të kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë.

Tashmë një ngjarje e madhe politike ka ndodhur, për këdo që ka pak ideal për të bërë diçka për këtë vend, duke cituar një nga mesazhet e mbrëmshme që thotë: “…me dashuri dhe qetësi ky vend po shkon drejt ferrit / bëj grimcën tënde se na poshtëruan intelektin…”, ne të gjithë jemi vënë në një nga zgjedhjet më të vështira midis vetes dhe misionit tonë në këtë shoqëri. Ajo çka është shpresëdhënëse dhe i jam mirënjohëse Zotit në këto momente, është që reagimet në rrjetet sociale tregojnë qartazi që nuk qenkemi “ne” pakica dhe “ata” shumica.

Reagimet në këto rrjete, dhe çka është edhe me e bukur mbështetja që personalisht kam marrë nga qindra e qindra zonja dhe vajza që dalin në mbrojtje të një standardi tjetër, është tregues i të vërtetës që po thërret haptazi. Miq të mi, çdo kohë ka betejat e veta dhe sa më shumë koha ecën, aq më e vështirë dhe e sofistikuar bëhet përplasja. Të marrësh vendime dhe qëndrime duke pranuar që do të sakrifikohesh në emër të një standardi tek i cili beson madje edhe në kundërshtim me instinktin për kundërpërgjigje, besoj fort është një pjesë e triumfit.

Duke falënderuar thellësisht për mbështetjen që më jepni me shpirt, po e mbyll duke rikujtuar një pjesëz të një bisede me miq dhe ndërkombëtare; ndërsa diskutonim për eksodin e ri të shqiptarëve, u thashë “ …po bëhet gjithçka që të na bëjnë të ikim nga ky vend, por do qëndrojmë sepse nuk lejojmë që ti bëjnë fëmijët tanë të ikin!”

Emisoni i djeshëm “Opinion” është shoqëruar me debate të ashpra, deri edhe në fyerje personale.
Rama recitoi një poezi të njohur të poetit rus, Sergei Esenin, gjë e cila vuri në siklet Dumën.

Ti s’më do, nuk të vjen keq për mua

Ti s’më do, nuk të vjen keq për mua,
A mos s’jam un’ shum’ i bukur vallë?
Duart veç mbi krahë m’i ke lëshuar.
Dhe s’shikon po shkrin si shkumb’ e valë.

Bukuroshe ndjenjash përvëluar,
S’jam brutal as delikat me ty.
A s’më thua, sa ke ledhatuar?
Sa buzë dhe sa duar mban mend ti?

Un’ e di: ato si hije shkuan,
Pa e prekur zjarrin tënd në gji,
Shumëve mbi gjunj’ u ke qëndruar,
Kurse ja, tek mua rri tani.

Le te jenë syt’ e tu përgjumë,
Edhe ti mendon për tjetër kënd,
Se dhe vet’ un ty s’të dua shumë,
Kur kujtoj ato që s’i kam më.

Ky pasion nuk është fati ynë,
Mendjelehtë është lidhja e rrëmbyer.
Siç të pash pa prishur qetësinë,
Do buzëqesh un’ rrugën duke kthyer.

Por dhe ti do marrësh rrugën tënde,
Duke ndjekur ditët plot mërzi.
Veç t’paputhurve mos u merr mendjen,
Mos u bëj t’padjegurve magji.

Dhe kur nëpër rrugë ndonjë ditë,
Do t’i shfaqësh dashuri një tjetri,
Ndoshta do dal un’ të shëtis,
Dhe sërish do piqen miqt’ e vjetër.

Për atë veç do rrahi zemra,
Do të ulësh sytë poshtë si shtizë
Dhe qet’ do thuash: “Mirëmbrëma!”
Do përgjigjem: “Mirëmbrëma, miss”.

Dhe asgjë me shpirtin s’do e zgjojë,
Dhe asgjë s’do trondit atë.
Kush ka dashur s’mund të dashurojë.
Kush ësht’ djegur s’mund të digjet më.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: