Nga Agron Gjekmarkaj
Romani “Jam Musliman” i shkrimtarit Ben Blushi, botuar nga “Onufri” përfaqëson një nga veprat me të debatueshme te letersisë bashkëkohore shqiptare! Ai nuk synon vetëm të rrefejë një histori, por të ngrejë pyetje mbi mardhënien mes individit, fesë, identiteti dhe lirisë! Ai e përdor shkrimin si terapi për udhëkryqet shqiptare, kërkon zanafillat e keqkuptimeve, komizmin e përplasjeve që duhen marrë seriozisht!
Që nga Aristoteli, i cili në veprën “Poetika” e përkufizon letërsinë si mimesis – imitimin artistik të veprimit njerëzor – e deri te teoricienët modernë si Terry Eagleton dhe René Wellek, letërsia është parë jo thjesht si pasqyrim i realitetit, por si një formë krijuese që e interpreton, e transformon dhe e vë atë në diskutim me qëllim të epërm pasurimin e përvojës njerëzore.
Në këtë kuptim, romani “Jam mysliman” i Ben Blushit nuk synon të riprodhojë mekanikisht realitetin shqiptar, por ta rindërtojë atë përmes alegorisë, simbolikës dhe një rrëfimi që ndërthur dimensionin artistik me reflektimin filozofik e shoqëror.
Që në faqet e para bëhet e qartë se autori nuk ndërton një botë realiste në kuptimin klasik. Personazhet, ngjarjet dhe dialogjet nuk janë krijuar vetëm për të treguar një histori, por edhe për të mbartur ide dhe simbole.
“Rruga e Kavajës” nuk është thjesht një hapësirë urbane e Tiranës, por një metaforë e Shqipërisë së sotme, ku bashkëjetojnë moderniteti, tradita, ndikimet fetare dhe tensionet kulturore. Ajo është një rrugë fatmirësisht ënde me dy korsi! Kumbullat çelin për të gjithë njësoj! Ajo bashkon malin me detin, mbylljen me hapjen, izolimin me këndvështrimet.
Një nga veçoritë më të spikatura artistike të veprës është përdorimi i narratorit në vetën e parë. Narratori nuk është një vëzhgues i ftohtë; ai ndërhyn me komente, ironi, kujtime dhe reflektime filozofike. Kjo e afron romanin me traditën e ese-romanit, ku rrëfimi dhe meditimi ecin paralelisht.
Nga pikëpamja stilistike, Ben Blushi përdor një gjuhë erudite, dinamike dhe me ritëm të shpejtë. Fjalitë alternojnë përshkrimin realist me ironinë, satirën dhe hiperbolën. Autori krijon skena me ngarkesë të fortë vizuale, gati kinematografike, ku humori dhe tragjikja bashkëjetojnë.
Një element themelor me interes të veçantë është ndërtimi i personazhit të Ali Babës. Ai nuk paraqitet si një figurë lineare, por si një karakter kompleks ku bashkëjetojnë besimi, autoriteti patriarkal, dobësia njerëzore dhe tragjedia personale. Përmes tij, autori shmang ndarjen e thjeshtë mes “të mirëve” dhe “të këqijve”. Kompleksiteti i natyres njerzore është aty i ngerrthyer mes trashigimisë dhe aktualitetit që imponon shkembim e komunikim.
Qytetërimet nuk qenkan kaq në hasmëri me njëri-tjetrin! Ai nxit vullnetin e kërkimit të të përbashkëtave njerëzore.
Një karakteristikë themelore e romanit është sistemi alegorik. Personazhet nuk funksionojnë vetëm si individë me histori personale, por edhe si bartës të ideve, mentaliteteve dhe historisë së besimit.
Autori përdor ironinë si mjet kryesor artistik duke e çuar drejt groteskut. Ironia nuk drejtohet vetëm ndaj fesë apo fanatizmit, por edhe ndaj intelektualit modern, të shndërruar në “guzhinier”, hipokrizisë shoqërore dhe dobësive njerëzore. Kjo e bën tekstin më kompleks sesa një pamflet i zakonshëm. Vende-vende shquan zona “neverie”. Megjithatë, romani nuk është imun ndaj kritikës. Dilema kryesore estetike mbetet tensioni mes letërsisë dhe argumentimit. Në disa momente reflektimet filozofike dhe politike marrin përparësi ndaj zhvillimit të personazheve, duke e afruar veprën me esenë polemike. Mesazhi i drejtpërdrejtë mund të dobësojë hapësirën e interpretimit artistik.
Një tjetër pikë e debatueshme është trajtimi i figurës së gjyshit të autorit. Për sa kohë ai vjen si vegim, si personazh romani, duhet marrë si pjesë e universit letrar. Por përtej kësaj, idhtarë dhe mohues janë gati për përplasje pa kompromis mbi rolin e intelektualit të formuar në Perëndim i akuzuar se per shumë dekada u sherbeu dogmave ideologjike të lindjes në letersi.
Gjithsesi Blushi distancohet nga shkrimtaret e komunizmit nepermjet talljes por ruan njeanshmerine etike ndaj Kryetarit të Lidhjes së shkrimtarve!
Në aspektin gjuhësor, romani mbetet një nga arritjet më të rëndësishme të autorit. Gjuha është vibrante, me shumë ngjyra dhe e zgjedhur me kujdes artizani, ndërsa dialogjet dhe përshkrimet krijojnë një atmosferë ndonjëherë mistike, surreale, të pashpjegueshme në mënyrë racionale, ashtu siç shpesh njeriu e njeh veten.
“Jam mysliman” është një roman që kërkon një lexues aktiv me bazament kulturor. Ai nuk ofron përgjigje të gatshme, por ngre pyetje te pajisura me kontekst!
Pikërisht kjo aftësi për të nxitur debat është një nga meritat e tij më të rëndësishme artistike. Por kjo nuk është një nxitje e thjeshtë, banale, gazetareske, por intelektuale, historike, sociale e qyteterimore mbase si mundësi hipotetike per shqiptarin modern, i cili pertueshem rend ndaj te vertetave hipotetike si drejt urës së Qabesë.
Nga këndvështrimi letrar, vepra ka disa cilësi të padiskutueshme: Ben Blushi dëshmon kulturë të gjerë, udhëtim nëpër histori si lexues e si krijues i saj, te cilen e ka ndihmë në sintetizimin e bashkëkohësisë. Kjo punë është një trashëgimi për nesër, sa utopike aq dhe e prekshme. Blushi shfaq kompetencë e dashuri në zotërimin e gjuhës shqipe dhe aftësi për të ndërtuar një univers letrar me identitet të veçantë.
Te tjerat po ua lëmë lexuesve për t’i kërkuar ndihmë Roman Jakobsonit, i cili na mëson se “objekti i shkencës së letërsisë nuk është letërsia në përgjithësi, por letrarësia (literariness), domethënë ajo që e bën një vepër të jetë letërsi”. Ky libër e ka atë lëndë; të lë shijen e letërsisë së mirë, aq të domosdoshme kur thatësira kulturore shtohet.
Por në fund, për nga dobia e librave dhe e autorit të bashkuar në një, pa lidhje me argumentin e mësipërm, të vjen keq shumë keq. Edhe pse kundërshtar, vendin e tij në Parlamentin e Shqipërisë e kanë zënë ndër vite intelektualë “të hurit e litarit”, të cilët, për paradoks, fitojnë gjithmonë, qoftë edhe ndaj shkrimtarëve të rangut apo njerëzve të ditur, me stilistikën e tyre të xhunglës.
Martesa e jemenites 12-vjeçare me Ali Babën duket si martesa e tyre me Shqipërinë, e cila nuk ka fuqi t’i kamxhikosë si të miturën bijë të letërsisë!
