Ka lënë Kukësin për të mbështetur Partinë Demokratike në Tiranë, por pavarësisht se atje u zgjodh 3 herë deputet, Flamur Noka nuk ka frikë. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News 24, ai thotë se 25 Prilli do vulosë fundin politik të kryeministrit Rama.

“Unë jam rritur mes garash dhe betejash, një njeri që e ka qejf garën nuk e ka problem se ku garon”, -tha Noka.

Ai shtoi se janë takimet e përditshme me shqiptarët por edhe socialistët e zhgënjyer nga qeveria Rama ato që i motivojnë më shumë demokratët. “PD sot është më e motivuar se kurrë, demokratët janë sot më afër se kurrë pushtetit. E shohim çdo ditë në kontakte me qytetarët. Nuk e gjen sot asnjë socialist të ndershëm që i vlerëson ata, janë tjetër socialistët dhe rilindasit se rilindja ishte një sekt brenda PS. A mund të ma thotë dikush çfarë kanë bërë në këto vite? Po kanë sjellë hashash e kanabis e kanë bërë Shqipërinë dele të zezë. Shqipëria në kohën e Edi Ramës po ua çon shqiptarëve thikën në palcë. I gjithë buxheti shpërndahet vetëm për oborrtarët dhe qeveritarët. Ky vetëm rriti borxhin. Të gjitha këto që thashë dhe shumë të tjera kanë bërë që çdo shqiptar të ketë mllef ndaj kësaj qeverie. PD ka treguar që është e papajtueshme ke krimin drogën korrupsionin dhe keqqeverisjen. PD dhe lideri i saj ka programin më të mirë të realizuar ndonjëherë, taksa e sheshtë është një ndër pikat e rimëkëmbjen se ekonomisë që po shkon drejt humnerës .Kemi program në të gjitha fushat, shëndetësi, arsim. Shqiptarët po shohin rrezen e shpresës te ne, mezi po e presin 25 prillin që të marrë fund ky makth. Sot ke qeveri që gënjen, në 3D e ke mrekulli. Në realitet është skëterrë”,- tha ai.

Sa për skualifikimin e kryebashkiakëve të Kukësit e Tropojës nga gara, Noka tha se i qëndron vendimit të demokratëve. “Unë jam ndër ata politikanë që verdiktit të demokratëve nuk i bëj dot koment. Verdikti i tyre është gjithmonë i drejtë.

Në lidhje me një formular të publikuar në media që i detyron kandidatët ta firmosin para fushatës e që i detyron të mos sjellin përcarje brenda partisë, të mos bëjnë komente negative për kandidatët në garë, Noka thotë se është krejt normal dhe se përfaqëson statutin e partisë.

“Është kujtesë e detyrimeve staturore ndaj anëtarëve të partisë. Kemi pasur raste që është sulmuar forca jonë politike nga individë apo personalitete që janë rritur nga kjo parti. Këto detyrime vlejnë në kohë fushate. Nuk duhet të sulmojnë partinë e vetë. Kush e njeh statutin e PD nuk mund të ketë kritika ndaj anëtarëve të saj, apo forcës politike. Kur e sulmon nuk mund të jesh më pjesë e asaj force. Janë gjë tjetër kritikat e brendshme”,- tha ai.

Sa për situatën e krijuar në Këshillin Politik, Noka u shpreh: Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jeni 100% për lista të hapura. Ne nuk mund të rrimë me letra në dorë te zyra e kryeministrisë, ua kemi paraqitur në Këshillin Politik, po ju them se e ka thënë kryetari i partisë në ligjëratë të drejtë disa herë listat e hapura 100% ndërsa kryeministri ku po na katandis? Lista të hapura tha po që ‘de facto’ janë të mbyllura. Këtu po dhunohet marrëveshja e 5 qershorit. Ambasada e SHBA përmes zonjës ambasadore bëri me dije se ajo do jetë marrëveshje kuadër dhe duhet respektuar. Edi Rama i tmerruar nga fundi i tij në 25 prill po bën çdo gjë që të fitojë diçka në tavolinë se drejtpërdrejt e di që nuk fiton gjë. Por ne nuk pranojmë që t’i hiqet vullneti popullit opozitar dhe zëri i tij duhet të dëgjohet, qoftë edhe në këshill”,- vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb