LUSHNJË

Një 64-vjeçare ra pre e dhunës nga një vajzë 16-vjeçare e cila së bashku me të dashurin e saj tentuan t’i grabisin banesën në lagjen “18 Tetori” të qytetit të Lushnjës. Pasditen e se premtes, 64-vjeçarja Lume Zela ishte vetëm në banesë kur 16-vjeçarja Kristina Beqiri trokiti në derë dhe i kërkoi ndihmë për një gotë ujë me pretendimin se ishte e sëmurë.

Pasi Zela e ftoi vajzën në banesë 16-vjeçarja e spërkati atë me spraj lotsjellës në fytyrë dhe teksa e dhunonte e kyçi në një nga dhomat e shtëpisë. Në banesë besohet se hyri edhe i dashuri i vajzës,18-vjeçari Julian Kiptiu dhe të dy kontrolluan nëpër dhoma për sende me vlerë, por pasi nuk gjetën gjë u larguan prej aty. Zela mundi të dalë nga banesa duke thyer xhamin e dritares dhe më pas njoftoi policinë.

“Siç i re derës ti dhe unë dola. Aman më tha se jam lodhur, jam sëmurë tha. Mundësisht një gotë ujë. Posi jo i thashë unë. I dhashë ujin. Futi duart në xhepa. Pa marrë gotën më drejtoi sprain, më kapën duart e më futën duart në fyt, më tërhoqën zvarrë, më çuan tek dhoma. Hidhnin valixhet, thashë çfarë po kërkojnë. I thashë çfarë kërkon, as të njoh e as më njeh, pastaj ikën se si duket i thërriti dikush”, rrëfeu e moshuara.

Policia prangosi 16-vjeçaren Kristina Beqiri dhe bashkëpunëtorin e saj 18- vjeçarin Juljan Kiptiu me akuzën “Vjedhje me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim si dhe sekuestroi sprain lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim vjedhjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb