Mund të jesh më legjendarja ndër të aktoret e filmave të terrorit dhe, prapëseprapë, të dridhesh si një gjethe në erë: Jamie Lee Curtis, prej 40 vitesh një ikonë e kinemasë horror, ka zbuluar sekretet e saj në Venecia, ndërsa u nderua me Luanin e Artë për karrierën.

E zbuluar nga i pari ndër 12 filmat e serisë “Halloween”, “Halloween: Nata e Maskave”, një klasik i madh horror, i realizuar katër dekada më parë nga mjeshtri i zhanrit John Carpenter, Jamie Lee Curtis është edhe në posterin e pjesës së fundit, “Halloween vret”, i shfaqur jashtë konkurimit në Venecia.

Me flokët gri të prera, një buzëqeshje diskrete dhe një figurë sportive, aktorja 62-vjeçare ka se kujt t’i ngjajë: ajo është vajza e aktorëve Tony Curtis dhe Janet Leigh, e cila vdes në ekran në një nga skenat më trishtuese të historisë të kinemasë, nën dushin e filmit “Psikoza”, nga Alfred Hitchock.

Curtis është lidhur përgjithmonë me personazhin e Laurie Strode, një dado nga qyteti i vogël i Haddonfield-it, e cila do të jetë e vetmja që do t’i mbijetojë vrasjeve të një vrasës serial të pakontrollueshëm, i cili mban një maskë ​​të bardha, Michael Myers.

“Një rol që është si natyrë e dytë”, shpjegoi “mbretëresha e britmave” në Venecia.

“Unë mendoj se ajo që më ka bërë të suksesshme në këtë zhanër, për gjithë këto vite, është se unë jam tmerruar shumë lehtë dhe natyrshëm”.

“Unë frikësohem lehtë. I urrej këta filma, i urrej ata, nuk duroj dot të jem e frikësuar”, shton aktorja.

“Nëse kërkoni për fotografitë e mia si fëmijë, unë gjithmonë dukem e tmerruar. Në të gjitha fotografitë duket sikur më kanë bërtitur”.

“Unë mendoj se është një talent natyral. Kjo frikë që shihni në ekran është shumë e vërtetë, autentike, nuk ka përgatitje psikologjike”, vazhdon Curtis në një konferencë për shtyp.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb