FIER

Stina e verës ka sjellë përveç temperaturave te larta edhe rastet nga pickimet e zvarranikëve dhe insekteve. Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se vetëm gjatë javës së fundit në spitalin Rajonal në Fier jane paraqitur 10 raste nga pickimi i merimangës dhe 5 raste nga kafshimi i gjarprit dhe nepërkës.

Sipas mjekut toksikolog, Lulëzim Banushaj, në spitalin Rajonal Fier në një periudhë gati dy javore janë paraqitur 10 raste nga pickimet nga merimanga dhe 5 raste të kafshuar nga nepërka dhe gjarpri duke e çuar në total në 15 numrin e pacienteve të cilët janë paraqitur në gjendje të rëndë.

Rastet në fjalë kanë ardhur nga zonat e Cakranit, Mallakastra, Roskovecit ku fermerët në këtë periudhë janë të ekspozuar për shkak të punëve në bujqësi. Sipas bluzave të bardha të gjithë personat e pickuar nga merimanga dhe zvarraniket i kanë shpëtuar rrezikut nga vdekja.

Mjeku toksikolog ka shpjeguar se në këtë periudë helmi i zvarranikëve dhe insekteve është shumë i koncentruar dhe viktimat e tyre janë të rrezikuar nga helmi vdekjeprurës.

“Sivjet ka më tepër raste, sidomos me merimangë. Kemi pasur rreth 10 raste me merimangë. Merimanga të ndryshme, por të rënda për arsye të vapës dhe të thatësirës merimangat janë bërë shumë toksike. Duhet thënë dhe sensibilizuar që merimanga është më helmuese se zvarranikët. Vijnë në gjendje shoku toksik, pa puls, pa tension, me dhimbje shumë të forta të gjoksit dhe dhimbje muskulare-skeletike. Kryesisht dhimbje të forta mesi dhe eksternaliteteve inferiore. Në spitalin e Fierit nuk ka pasur humbje jete, por raste të rënda nuk ka pasur. Kryesisht ndodhin gjatë punëve bujqësore, në kopshte personale ose në ara dhe duke mos zbatuar rregullat e sigurimit që edhe i kemi porositur të ruhen”, tha mjeku Banushaj, raporton “BalkanWeb”.

“Nga zvarranikët kemi pasur pesë raste, katër nëpërka dhe një gjarpër. Nëpërka është më helmuese se sa gjarpri, por fatmirësisht nuk kemi pasur klinika të rënda. Më të rënda kanë qenë klinikat e merimangës”, tregoi ai.

Mjeku ka drejtuar këshilla për të gjithë fermerët për të pasur kujdes në punët në bujqësi pasi kjo periudhë me ngrohjen e temperaturave shënon edhe sulmet e zvarranikëve dhe insekteve.

“Fatmirësisht medikamentet që na duhen dhe që janë në qarkullim brenda vendit tonë për këto probleme i kemi në dispozicion që nga serumi kundër helmit edhe ilaçet e tjera qetësuese, kortizonikë, perfuzione etj.

Rasti i fundit që nxora nga spitali, pas 4 ditës, me dhimbje të forta, krizë hipertensioni nga neurotoksina. E kishte pickuar merimanga në këmbë kur kishte veshur çizmet për të shkuar në arë, ishte brenda në çizme, nuk e kishte kontrolluar. Ai erdhi me klinikë, por nuk e dinte që e kishte pickuar, e zbuluam vetë pasi i bëmë një eksplorim të thellë sepse nuk na dilte gjë tjetër. Pastaj në fund u gjet merimanga brenda në çizme.

Ka edhe mjekë që nuk e njohin rëndësinë e intoksimit nga merimanga, që mund të marrë dhe jetën. Kanë ndodhur, janë raste që vuajnë dhe nga sëmundje të tjera, shtohet dhe kjo. Prandaj duhet të vlerësohet, merimanga është vdekjeprurëse, ndaj duhen marrë masa, kur punojnë në ambiente, me veglat bujqësore, duhet kujdes i jashtëzakonshëm”, tregoi mjeku toksikolog.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb