Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka marrë fjalën në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, duke prezantuar qasjen e grupit socialist për këtë mandat. Balla tha se grërupi parlamentar i PS-së do ta nisë këtë sesion me platformat “Besa dhe “Prani Besnike”, duke theksuar se “besa nuk është fjalë, por angazhim”. Fjalimi i Ballës vjen në nisje të sesionit të ri parlamentar, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit vijon protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike.
Sipas Ballës, në këtë fazë të mandatit të katërt, qytetarët nuk presin më që deputetët t’u tregojnë se çfarë duhet të bëjnë, por kërkojnë që përfaqësuesit e tyre të jenë të pranishëm dhe t’i dëgjojnë.
“Në këto momente kthese të këtij mandati të katërt, qytetari nuk kërkon prej nesh që t’i tregojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Balla. Ai njoftoi gjithashtu se çdo të premte, në orën 17:00, qytetarët do të kenë mundësi të takohen me grupin parlamentar të PS-së për të shprehur shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
“Do të jetë një funksion i vazhdueshëm i PS-së. Jo për të marrë premtime apo për të kërkuar favore, por për t’u ulur e për të folur me njerëzit”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla theksoi se deputetët duhet të jenë të qartë në raport me rolin e tyre institucional, duke nënvizuar se “partia nuk bën shtet dhe deputeti nuk ndërmjetëson favore”. Ai ftoi opozitën për të bashkëpunuar për cështjen e integrimit në BE.
