Pas javës kulturore franceze dhe asaj të Europës, radhën e ka “Java Amerikane”. Deri në datën 21 maj, ambasada amerikane do organizoje një sërë aktivitetesh në Tiranë dhe Shkodër  ku përfshihet muzika rrok nga banda e forcave ajrore amerikane, shfaqje filmash dhe degustime me ushqime.

Amanda Roberson, zëvendës shefe e zyrës së marrëdhënieve me publikun në ambasadën Amerikane ka një ftesë të hapur për qytetarët që bashkë me fëmijët të bëhen pjesë e “Javës Amerikane. Ndiqni intervistën dhënë gazetares së televizionit News24 Aurora Golemi.

Zonja Roberson, faleminderit që pranuat ftesën tonë për të folur për News 24. Është kënaqësi t’ju kemi këtu…
Roberson: Faleminderit juve për ftesën. Jam shumë e kënaqur që jam këtu dhe jam shumë e emocionuar t’ju tregoj të gjithëve për Javën Amerikane.

Si do festohet gjatë javës diversiteti kulturor dhe 100-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA?
Roberson: Keni të drejtë. Kjo është Java e Amerikës. Festojmë 100 vjet marrëdhënie diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë. Është diçka e madhe. Po punojmë bashkë për shumë gjëra – për të forcuar demokracinë e Shqipërisë, ekonominë, qëndrimin bashkë si partnerë në NATO për të mbrojtur paqen dhe begatinë, por po festojmë edhe kulturën amerikane këtu në Shqipëri. Kemi një radhë aktivitetesh që janë falas dhe të hapura për publikun. Do të ketë filma, ushqime, muzikë, kulturë amerikane dhe më shumë.

A mund të më thoni sa aktivitete do të ketë Java Amerikane gjithsej?
Roberson: Janë shumë aktivitete, Aurora. Mund ta shihni kalendarin e plotë në faqet tona në mediat sociale, megjithatë, sa për një ide: do të shfaqim filma amerikanë gjatë gjithë javës këtu në Tiranë, tek Reja, çdo mbrëmje në 7.30. Mund ta gjeni kalendarin e plotë në media sociale tona. Por jemi shumë të emocionuar që të enjten mbrëma, do të kemi një koncert roku këtu, në Sheshin Skënderbej. Kemi sjellë bandën e forcave ajrore amerikane, Touch ‘n Go, në Shqipëri.

Sipas jush, cili është qëllimi i këtyre javëve kulturore në vendin tonë?
Roberson: Po, siç e thashë, festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë. Është një moment vërtet për të reflektuar për miqësinë shqiptaro-amerikane, në gjithçka që dy vendet tona po bëjnë bashkë. Ndërkohë, është edhe një mundësi për të ftuar publikun, cilindo që të vijë dhe të festojmë Amerikën së bashku. Nëse mund të them diçka më shumë për koncertin rok që do të jetë të enjten në mbrëmje. Është një koncert falas me bandën Touch n’ Go, banda e Forcave Ajrore Amerikane. Ata luajnë muzikë rok dhe hite amerikane, nga breza të ndryshëm. Do të luajnë nga Michael Jackson tek Bruno Mars. Nga Stevie Wonder tek Dua Lipa. Do të jetë një shfaqje fantastike që nuk do doni ta humbisni.

Çfarë do të mësojnë shqiptarët për kulturën amerikane gjatë kësaj jave?
Roberson: Kemi shumë gjëra për të ndarë me ju. Do të flasim për shumë gjëra. Mbrëmë shfaqëm filmin Wonder Woman, një film për forcën, fuqizimin e gruas. Sonte do të shfaqim filmin Hidden Figures, një histori se si disa shkencëtare femra afro-amerikane ndihmuan për të çuar njeriun në hënë. Këto janë histori amerikane që mund të vini t’i mësoni, me anë të aktiviteteve argëtuese si filma, muzikë. Dua të përmend edhe që kemi punuar në partneritet me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për një mbrëmje amerikane tek Pazari i Ri këtu në Tiranë. Do të jetë të premten mbrëma me ushqime e muzikë amerikane. Do të ketë një koncert nga Elton Deda.

Ah, harruat Top Gun 1!
Roberson: Po, faleminderit që ma kujtove. Do të shfaqim edhe Top Gun, një film shumë i famshëm amerikan për ushtrinë amerikane. Siç e thashë, të gjithë filmat do të shfaqen tek Reja këtu në Tiranë, falas, hapur për publikun. Kështu që merrni miqtë dhe familjen dhe ejani bashkohuni me ne.

A premton Java Amerikane të jetë më e mirë dhe më argëtuese se sa javët e tjera kulturore?
Roberson: Aurora, nuk kemi dalë për garë. Kemi dalë vetëm për të festuar, 100 vjet marrëdhënie diplomatike. Duam t’i shohim të gjithë atje. Një gjë tjetër që doja të përmendja është që do të kemi disa aktivitete edhe në Shkodër. Banda e forcave ajrore amerikane, Touch N’ Go, të shtunën mbrëma do të japin një koncert në Shkodër, tek Kalaja e Rozafës.

Pse zgjodhët Tiranën dhe Shkodrën?
Roberson: Tirana është e qartë, zemra, kryeqyteti. Por donim edhe të ofronim diçka për njerëzit kudo në Shqipëri. Dhe patëm mundësinë për një koncert në Kalanë e Rozafës dhe menduam, pse jo? Sa spektakolare do të ishte të sillnim muzikë amerikane rok në një pikë kaq të bukur historike në Shqipëri. Tregon vërtet frymën e miqësisë midis dy vendeve tona.

A ka aktivitete edhe për fëmijë e grupmosha të tjera?
Roberson: Siç e thashë, të gjitha aktivitetet tona janë falas, të hapura për publikun. Kanë në qendër të gjithë familjen. Kontrolloni listën ne filmave, kemi Toy Story 4, të cilën fëmijët e dashurojnë. Mund të sillni fëmijët për të parë Toy Story 4 tek Reja. Koncerti të enjten mbrëma do të jetë po ashtu një aktivitet i shkëlqyer për të gjithë familjen, përveç aktivitetit tek Pazari i Ri këtu në Tiranë. Do të jetë një panair, me lojëra, ushqime amerikane dhe miqtë tanë në Fondin Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit do të kenë disa aktivitete tek Pedonalja në Shkodër, gjatë gjithë fundjavës. Një gjë tjetër që dua të përmend është që jemi shumë të lumtur që kemi punuar në partneritet me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Tiranë për t’ju sjellë të gjitha këto aktivitete.

Besoj nuk përbën lajm për ju kur them se shqiptarët e duan Amerikën?
Roberson: E di. E kam përjetuar vetë, kam thuajse një vit këtu në Shqipëri dhe vërtet që e dalloj se sa e duan shqiptarët Amerikën. Dhe më duhet të them që është një dashuri e dyanshme. Kemi vërtet një miqësi të veçantë, një partneritet të veçantë. Dhe s’ka mënyrë më të mirë për ta festuar këtë frymë se sa të bëhemi bashkë, të festojmë në të gjitha këto aktivitete, këtë javë. Ndaj shpresoj që të gjithë do të vijnë. Shihemi atje.

Një fjalë e fundit, kjo është ftesa për publikun që t’ju bashkohet Javës Amerikane?
Roberson: Po, siç e thashë, shihni mediat tona sociale në Facebook, Instagram, Twitter, mund të shihni ku ndodh çdo gjë. Mund të sillni familjen. Ejani tek koncerti. Ejani të shihni filmat. Bashkohuni me ne në Shkodër po mundët. Shpresoj t’ju shoh atje.

Faleminderit shumë për këtë intervistë. Ishte kënaqësi.
Roberson: Faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb