Futbolli në përgjithësi në vendin tonë njihet për të papriturat që ofron nga java në javë, por këtë herë janë kaluar limitet. Një çmenduri mund të quhet ajo që pritet të kalojë këtë fundjavë stadiumi i vetëm në kryeqytet “Selman Stërmasi”.

Ndryshe mund të quhet java e masakrimit të stadiumit sepse brenda 9 orësh do luhen dy takime ose 5 orë pas ndeshjes Kosovë-Greqi do luhet Partizani-Luftëtari.

Fillimisht ishte përcaktuar se Partizani do të lunte të dielën dhe Tirana të hënë dhe e shtuna ishte në dispozicion të ndeshjes së femrave Greqi-Kosovë. Ndërhyrja e Tiranës ka bërë që “Selman Stërmasi” të jetë pushim të dielën, në mënyrë që fusha e stadiumit të ketë kohë rikuperimi për një ditë, përpara sfidës së tyre me Teutën.

Partizani ka pranuar që ndeshja e tyre të zhvendoset 24 orë më herët, por skandali qëndron se, pesë orë para përballjes së “demave” me Luftëtarin, ka mbaruar ndeshja mes Greqisë dhe Kosovës. U quajt masakrim i “Selman Stërmasi”-t fakti se do të luheshin 5 ndeshje në 5 ditë, por më ekstremja u mësua dje, ku të shtunën do të luhen 2 ndeshje brenda 9 orësh në këtë stadium.

Pra, të shtunën, fusha e stadiumit të vetëm të kryeqytetit pritet që fillimisht të “plugohet” nga femrat e Greqisë e Kosovës dhe, 5 orë më pas, e kanë radhët “demat e kuq” dhe gjirokastritët që ta diskojnë. Ajo që do të ndodhë të shtunën në fushën e stadiumit “Selman Stërmasi” u shkon përshtat proceseve të punës në bujqësi dhe jo të mbarëvajtjes së aktiviteteve sportive.

Mësohet se justifikimi qëndron se femrat nuk e prishin fushën, kështu që është më mirë që terreni të mos përballojë dy ditë rresht ndeshje meshkujsh, siç ishte në program: Partizani-Luftëtari të dielën, si dhe Tirana-Teuta të hënën.

Partizani ka pranuar më mirë të luajë të shtunën në kryeqytet, pas ndeshjes së femrave Greqi-Kosovë, sesa ndeshja me Luftëtarin të zhvendosej jashtë Tiranës. Pakti i këtij absurditeti është arritur me akordin e të dy klubeve të kryeqytetit, si dhe FSHF-së, që është organizatorja dhe përcaktuesja e kalendarit të Kategorisë Superiore.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb