Sa i përket sulmit kibernetik ndaj sistemit TIMS në vendin tonë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi sot pas mbledhje së qeverisë, se është kaluar një projekt prej 24 mln dollarë për të forcuar mbrojtjen, teka shton se “jemi të paprekshëm”.

Ai sqaroi se edhe pas sulmit, nuk jemi në rrezik pasi mbështetemi nga SHBA, NATO dhe BE.

“Projektvendimi ka lidhje me përmirësimin e trajtimit financiar të përfaqësuesve ushtarakë apo civilë në përfaqësi të jashtme, bëhet fjalë për një komunitete jo shumë të madh, janë rreth 85 përfitues. Ky është një vendim që tregon se qeveria shqiptare do vazhdojë të investojë  për të rritur reputacionin e FA të Shqipërisë.Para dy muajsh ka filluar rritja 30% e pagave për të gjithë ushtarakët. Është një nga trajtimet më dinjitoze krahasuar me vendet e rajonit. Kjo sot është bërë edhe më e rëndësishme për shkak të situatës së sigurisë që ka ndryshuar pas agresionit rus. Duhet të investojmë më shumë për të përmirësuar sigurinë edhe atë kibernetike. Ne jemi të sulmuar dhe le të themi, jemi duke u përballur me sulme serioze.

Për herë të parë po e ndaj me publikun faktin që sistemet tona kibernetike ushtarake as herën e parë as tani nuk janë prekur. Janë më se të mbrojtura për shkak se janë të dedikuara dhe të shkëputura nga sistemet e tjera. Sa i përket planeve dhe projekteve që po punojmë për ta ngritur në një nivel më të lartë sigurinë kibernetike jemi në zbatim të një projekti shumë të madh në vlerë 24 mln dollarë të mbështetur nga partnerët që synon ngritjen e qendrës së sigurisë kibernetike dhe aftësimin e stafit.

Nuk jemi në ndonjë skenar të cënimit të sovranitetit, jemi të paprekshëm, asnjë pëllëmbë apo metër katrorë i hapësirës së NATO nuk është i cënueshëm. E keqja është së edhe sulmet  kibernetike nuk bëjnë më pak dëm se ato fizike, kjo do na marrë më shumë energji dhe kohë për të punuar dhe për ta forcuar. Në këtë përpjeke pranë nesh janë SHBA, NATO dhe BE. Jeni me bllok të fortë për të mbyllur murin kibernetik”, u shpreh ai.

Peleshi foli edhe për ndërtimet pa leje në mes të kryeqytetit dhe veprimin e ligjit njësoj për të gjithë, duke thënë: Mund t’ju them se qeveria nuk e ka hequr asnjëherë këmbën nga gazi për të hyrë në kapitull të ri të territorit. Mijëra ndërtime pa leje janë prishur sapo ne kemi filluar punën, të kritikuar madje kemi qenë në atë kohë, ne ndahemi në qasje me opozitën shqiptare e cila kur ishte në pushtet jo vetëm nuk ka përdorur forcën e ligjit, por inkurajuar duke i quajtur energjia e qytetërimit. Nuk ka kompromis as në qendër të Tiranës, as në qytete të tjera”, tha Peleshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb