Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut ka shpallur fajtorë shtatë anëtarë dhe një mbështetës të grupit të ekstremit të djathtë “Vala e Fundit e Mbrojtjes” (Letzte Verteidigungswelle), të cilët kryenin sulme të dhunshme ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve politikë me qëllim shembjen e sistemit politik në Gjermani.
Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtari i çështjes theksoi se emri i organizatës pasqyronte mentalitetin e tyre thellësisht racist dhe të dhunshëm. Në pamfletet e propagandës së tyre, grupi përdorte sllogane ekstreme si: “Ne jemi vala që largon ndyrësirën nga vendi ynë”.
Të dënuarit ishin të moshës nga 14 deri në 21 vjeç në kohën kur kryen krimet. Për shkak të moshës, ndaj tyre u aplikua ligji penal për të mitur, me dënime me burgim për të rinj që variojnë nga një vit e gjysmë deri në pesë vjet. Dënimi për të pandehurin më të ri (një vit e gjysmë) u pezullua me kusht.
Ata u gjetën fajtorë për anëtarësim dhe mbështetje të një organizate terroriste, ndërsa dënimet mbulonin vepra të rënda penale përfshirë tentativën për vrasje, zjarrvënien e qëllimshme dhe dëmtimet e rrezikshme trupore.
Sipas vendimit të gjykatës, në tetor të vitit 2024, të rinjtë ndërmorën një sulm me zjarrvënie ndaj një qendre kulturore komunitare në Altdöbern, një qytet me vetëm 2,300 banorë në Brandenburg. Hetuesit besojnë se ekstremistët e identifikuan gabimisht ndërtesën si vend takimi për aktivistët e krahut të majtë. Ndërtesa u dogj tërësisht, duke shkaktuar një dëm material prej disa qindra mijëra eurosh.
Kryetari i bashkisë së Altdöbernit, Peter Winzer, e cilësoi ngjarjen si një katastrofë absolute, duke u shprehur se ndërtesa shërbente si qendra kryesore e kulturës dhe e tubimeve për të gjithë komunitetin lokal.
Përveç këtij sulmi, dy nga të akuzuarit kishin tentuar pa sukses t’i vinin flakën një strehe për refugjatët në Schmölln (Thuringia) në janar 2025, ku vizatuan svastika dhe slogane raciste në fasadë, ndërsa tre anëtarë të tjerë po planifikonin një sulm të ngjashëm në Senftenberg.
Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jan Redmann, e cilësoi veçanërisht alarmante shpejtësinë me të cilën të rinjtë po radikalizohen përmes internetit. Ai ngriti shqetësimin për paralelen me të ashtuquajturat “vitet e shkopit të bejsbollit” – periudha e sulmeve masive ndaj refugjatëve në Gjermaninë Lindore pas ribashkimit – duke vënë në dukje se disa prej të rinjve kanë të afërm që kanë qenë të skeduar si ekstremistë të djathtë gjatë viteve ’90.
Autoritetet gjermane kanë zgjeruar hetimet me bastisje të shumta në disa shtete federale, duke shënjestruar dhjetëra të dyshuar të tjerë. Zyrtarët vlerësojnë se numri i anëtarëve të grupit “Vala e Fundit e Mbrojtjes” shtrihet në një rang dyshifror në të gjithë vendin.
