Kroaci-Argjentinë është edhe një përballje trajnerësh Dalic kundër Scalonit. Kroati u bë i njohur katër vjet më parë teksa arriti deri në finale. Dhe ky sukses bëri që atij t’i besohej vijimi në krye të kombëtares ballkanase, teksa tani kërkon minimalisht finalen e dytë në Kupës së Botës.

Jo keq për Zlatko Dalic, nëse kujtojmë të kaluarën e tij. Pak para Botërorit 2018, ish-presidenti i federatës kroate, Davor Suker, në atë kohë i tha: “Ke tre ndeshje në dispozicion për të më bindur”. Në tre ndeshje, Dalic fitoi biletën për në Rusi dhe kontratën, pastaj suksesin dhe famën.

Në arenën ndërkombëtare Dalic ishte anonim, kishte drejtuar edhe Dinamon e Tiranës dhe skuadra në kampionatin kroat. Por kur i erdhi momenti, ai e shfrytëzoi, dhe nuk mund të jetë rastësi dy herë radhazi ky sukses.

Edhe për Lionel Scalonin një histori pak a shumë e ngjashme. Ai nisi të drejtojë kombëtaren argjentinase pa Messin, arriti ta bindte të rikthehej dhe pas humbi Kupën e Amerikës Latine në 2019-n, arrin të triumfojë në 2021 në finale kundër Brazilit, dhe 36 ndeshje pa humbje deri në sfidën e parë në këtë Botëror kundër Arabisë Saudite.

Tani gjysmëfinalja e Kupës së Botës, por Scaloni qëndron modest, ndoshta edhe për vetë faktin se vëmendjen e merr Lioneli tjetër, Messi. Megjithatë, ai e di shumë mirë se triumfi në Katar do ta bënte edhe atë të lavdishëm. Dalic apo Scaloni, sonte fiton vetëm njëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb