Autoritetet jordaneze kanë hedhur poshtë njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Aman për një evakuim të Aeroportit Ndërkombëtar dhe Portit të Akabës, duke deklaruar se nuk është lëshuar asnjë urdhër i tillë dhe se nuk është identifikuar asnjë kërcënim i afërt.
Sipas agjencisë shtetërore jordaneze të lajmeve, një zëdhënës i qeverisë bëri të ditur se shërbimet kompetente të sigurisë nuk kanë konstatuar ndonjë rrezik të mundshëm gjatë orëve të fundit dhe se infrastruktura strategjike në Akaba funksionon normalisht.
Më herët gjatë ditës, Ambasada e SHBA-së në Jordani publikoi një njoftim në platformën X, ku pretendonte se aeroporti ndërkombëtar dhe porti i Akabës ishin evakuuar për shkak të një “kërcënimi”. Megjithatë, misioni diplomatik nuk dha detaje mbi natyrën e kërcënimit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin udhëtimet drejt këtyre objekteve dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve jordaneze.
Zhvillimi vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme. Mëngjesin e së dielës, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave të Gardës Revolucionare Iraniane, në përgjigje të vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në Jordani.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se dy ushtarakë amerikanë humbën jetën dhe një i tretë rezulton i zhdukur pas një sulmi me raketa dhe dronë, për të cilin Uashingtoni fajëson Iranin. Sipas autoriteteve amerikane, numri i ushtarakëve amerikanë të vrarë që nga rifillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka arritur në 16.
Përshkallëzimi i fundit i luftimeve, i cili pasoi sulmet ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik që SHBA-ja ia atribuon Iranit, po minon përpjekjet diplomatike për një armëpushim dhe po rrit frikën për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
