Nga: VALENTINA MADANI*

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, vlerëson angazhimin e opozitës në reformën në drejtësi, ndërkohë që pozicionimin e LSI në krah të saj e gjykon të drejtë pavarësisht se erdhi për shkak të interesave politike të kësaj partie. Zj.Tabaku shprehet në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” se PD po bën përpjekje për të rrëzuar qeverinë e paaftë të z.Rama ndaj e djathta insiston për krijimin e një qeverie teknike. Deputetja demo-krate beson se PD do të dalë e fituar përballë një mazhorance të mbushur me njerëz të inkriminuar, por duke bërë të qartë se opozita nuk është në kërkim të një kingmaker, por me synimin e qartë për të fituar besimin e shqiptareve. Kritikat brenda PD-së Jorida Tabaku i quan një vlerë e shtuar, por edhe një provë e demokracisë së brendshme dhe mendimit ndryshe.

Zj.Tabaku më datën 11 shtator, në Dibër zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të bashkisë, çfarë përbëjnë për PD-në këto zgjedhje dhe a besoni se do ti fitoni pas skandalit të zyrtarit socialist?
Zgjedhjet vendore të shtatorit 2016 janë një pikë e rëndësishme jo vetëm në nivel lokal, por edhe për betejën që do të zhvillohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mendoj se dibranët do të votojnë z. Shehu së pari si një menaxher me eksperiencë e së dyti si një dibran i cili ka folur e luftuar në Parlament e ka qenë zëri i tyre për më shumë fonde e më shumë shërbime. Dibranët do të jenë të parët që do t’i japin një përgjigje mendjemadhësisë, arrogancës dhe sjelljes abuzive të kësaj qeverie. Në datën 11 shtator qytetarët e Dibrës do të vendosin të përzgjedhin z. Shehu i cili është i gatshëm të vendosë gjithë eksperiencën e tij për të ringritur Dibrën dhe për të ndihmuar ekonominë lokale të saj, që do të pasurojë bashkinë me një administratë në bazë meritokracie. Dibranët do të kenë mundësi t’i japin goditjen një qeverie që i ka mbingarkuar bizneset me gjoba, taksa si dhe që pronat e tyre ia lë në përdorim kultivuesve të drogës të cilët mbrohen nga uniformat e policisë. Nën këtë logjikë, dibranët (siç edhe shqiptarët) kanë shumë arsye përtej një video skandali për t’ia dhënë votën një prej figurave më bashkuese të së djathtës në Dibër. I cili do të arrijë t’ia rikthejë më së pari Dibrën qytetarëve dhe më pas të djathtëve.
Kreu demokrat Lulzim Basha ka apeluar për krijimin e një qeverie teknike, por sipas jush sa e mundur është një gjë e tillë dhe a keni mbështetjen e LSI në këtë rast?
Besoj se duhet të kemi kujtesë pak më të gjatë. Z. Basha e ka kërkuar qeverinë teknike në Dhjetor 2015, atëherë pakkush e mendonte diçka të tillë, por rrjedha e ngjarjeve i dha të drejtë asaj kërkese. Sot, nuk shtrohet më diskutimi nëse LSI është dakord për një qeveri teknike, duke qenë se kërkesa e PD nuk është për të rrëzuar një mbret dhe ta zëvendësojë me një tjetër. Kërkuam që në dhjetor një qeveri teknike për shkak të mungesës të një shteti ligjor, për shkak se shteti është i kapur prej fyti nga persona të inkriminuar. Jo vetëm kaq, por qeveria aktuale nuk garanton një proces konform standardeve më minimale evropiane të zgjedhjeve. Sot i qëndrojmë kësaj kërkese duke parë gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Një qeveri e tillë është barrë e rëndë si për socialistët e ndershëm ashtu edhe për këdo aleat të tyre, është një barrë për çdo biznes dhe qytetar të ndershëm të cilësdo bindje politike. Prandaj dhe ftesa nuk është kufizuar në një subjekt partiak, duke qenë se nuk është menduar asnjëherë si një mënyrë e shkurtër për të ardhur në pushtet, në të kundërt është menduar si një shpëtim për shqiptarët nga një qeveri e padrejtë.
A ka një bashkëpunim aktualisht mes PD dhe LSI dhe a i duhet PD-së një koalicion me LSI me qellim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës?
Në dijeninë time LSI është ende pjesë e koalicionit qeverisës, ndërkohë që PD bashkë me aleatët ndodhet në opozitë dhe ka duruar jo pak herë dhunën edhe sjelljen arrogante të kësaj mazhorance. Ajo që ju e shihni si një bashkëpunim nuk qe vetëm se mbajtja e një qëndrimi nga LSI, natyrisht dhe në mënyrë të kuptueshme, për interesat e saj politikë në krah të PD-së sa i takon reformës në drejtësi dhe kërkesa për konsensus. Kjo mund të lidhet me shumë arsye për faktin se ndryshimet e rëndësishme kushtetuese janë bërë në këtë vend me konsensus, se opozita dha në këtë proces një kontribut të rëndësishëm dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë. Sa i takon sjelljes së aleatit të Ramës në qeverisje e gjykoj të drejtë, sipas meje. Por kjo nuk është se ka zhbërë faktin që LSI sot e kësaj dite është po aq përgjegjëse për taksat e larta si dhe për sa e sa veprime apo mosveprime të qeverisë në dëm të shqiptarëve. Mjafton të kujtoj se ministri i cili sot po tenton të japë rrugën e kombit me koncesion e llojit rilindje është një nga anëtarët e LSI-së. Përpjekja e PD-së nuk është ndaj një individi të caktuar, nuk është betejë personale, përkundrazi është një përpjekje për të rrëzuar një qeveri të paaftë që dhunon përditë e më shumë qytetarët dhe që po shkreton edhe gjymton vendin. Prandaj ne si opozitë bashkëpunimin dhe mbështetjen e kemi kërkuar tek qytetarët, tek ato të cilët politikat e mbrapshta dhe klienteliste i kanë varfëruar, tek ish- pronarët që po u rividhet sërishmi prona, tek të përndjekurit që po rishohin xhelatët e të djeshmes të rilindin sërishmi, tek shqiptarët që përditë po u zhduket një simbol i të shkuarës duke prodhuar një komb pa të djeshme tjetër veç rilindjes.
Pse duhet të ikë qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama?
Gjatë këtij mandati vështirësimi i jetës për shqiptarët jashtë klanit qeveritar është rritur në progresion gjeometrik dhe këtu flas jo vetëm në këndvështrimin ekonomik, por edhe të lirive. Kjo është një qeveri që prosperitetin ekonomik e konsideron propagandë. Mjafton t’i hedhim një sy të dhënave ekonomike në vend që pasqyrohen sa nga INSTAT ashtu edhe nga raportet ndërkombëtare, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një ekonomi të falimentuar. Një qeveri që ka ulur investimet e huaja më poshtë se sa viti 2013, që ka rritur taksat me 450 mln dollarë në tre vjet dhe që ka prodhuar një gjendje recesionare ku çmimet e produkteve rriten si pasojë e taksave të larta. Buxheti i shtetit i arnuar së fundmi tregoi edhe problemet që administrata e qeverisë rilindase ka me mbledhjen e të ardhurave (i uli ato me 4.4 mld lekë) kurse shpenzimet e qeverisë në shërbime janë ulur me 3.1 mld lekë. Një qeveri që ka shpenzuar për luksin e ministrave dhe fasadat e godinave, por asnjë centimetër rrugë të shtruar. Për të tretin vit me radhë rritja ekonomike e vendit do të jetë më e ulët se sa ajo që ka planifikuar qeveria, edhe të mos harrojmë që nëse kemi një rritje ekonomike kjo vjen si pasojë e projekteve investuese të ndodhura përpara shtatorit 2013. Pas shtatorit e këndej, kjo mazhorancë ose ka prodhuar koncesione abuzive (si ato të shëndetësisë), të ashtuquajturën PPP që i fal pasurinë e shqiptarëve kompanive fantazmë në Singapor apo Hong Kong (siç është rasti i Karpenit apo koncesionit të TVSH-së) apo edhe fjalime propagandistike me të dhëna të shpikura apo keqinterpretuara që rëndom rrëzohen nga raportet ndërkombëtare. Sikur kjo të mos mjaftonte kemi përkeqësimin sa i takon lirisë së mediave, sikundër edhe lirisë së qytetarëve për të protestuar lirisht. Jemi dëshmitarë të skenave të dhunës që policia ka ushtruar ndaj qytetarëve apo edhe aktivistëve të Partisë Demokratike në mbrojtje të veprave minimalisht të dyshimta apo antiligjore. Pa folur pastaj për harbutërinë edhe dhunën verbale që kryeministri nuk kursen as ndaj kujtdo që mendon ndryshe apo që përpiqet të argumentojë mendimin e tij. Një Shqipëri e mbushur me drogë kur vetëm disa vite më parë kishim vetëm një njollë në hartën tonë, ndërsa sot fakte të përditshme që denoncohen nga PD janë dëshmi të reja që provojnë se krimi është ulur këmbëkryq me lejen e miratimin e qeverisë.
A është e përgatitur PD që të vijë në pushtet?
Opozita ka arritur të fitojë beteja tepër të rëndësishme në Kuvend dhe jo vetëm. Përballë një mazhorance të mbushur me persona të inkriminuar opozita arriti të impononte ligjin e dekriminalizimit që ka nxjerrë zbuluar qeverinë dhe mazhorancën. Një opozitë e cila fitoi betejën për një Reformë në Drejtësi sipas standardeve të Këshillit të Venecias, ku bazë është ndarja e pushteteve dhe jo sundimi i një personi, e që ka arritur të risjellë ligjërimin politik për një qeveri teknike përballë një mazhorance kaq të madhe. Sakaq, kemi kryer takime me aktorë nga fusha të ndryshme dhe shumë shpejt do të publikojmë programin e plotë politik, krahas atij ekonomik që është diskutuar me grupet e interesit, se si do të nxjerrim vendin nga kjo gjendje dhe mbi të gjitha se si do ta qeverisim atë. Pa harruar kontributin në ndërtimin e projektligjeve, rezolutën për integrimin e vendit në BE si dhe kritikat korrekte ndaj reformave si ajo e arsimit, pensioneve dhe territorialet që sot janë të dështuara si pasojë e arrogancës së qeverisë për të mos i dëgjuar. Me një bilanc të tillë do të ishte e padrejtë nëse nuk do të mendoja që kjo opozitë nuk është e përgatitur për të qeverisur aq më shumë kur mazhoranca aktuale kur qe në opozitë fitoren e saj politike kishte vetëm mandatin në këshillin e qarkut të Fierit si dhe pajtimin me armikun që u bë mik.
Në rast se e djathta rikthehet në pushtet, me kë do të qeverisë ajo?
PD dhe aleatët e saj janë angazhuar për të fituar Bashkinë e Dibrës dhe po në të njëjtën mënyrë ne do të angazhohemi për të bindur çdo shqiptar të na besojë qeverisjen e vendit në 2017. Duhet të jetë e qartë se PD nuk është në kërkim të një kingmaker, ajo është e vendosur të fitojë besimin e qytetarëve, e kjo është beteja kryesore.
Vetë PD a është e unifikuar brenda saj? Çfarë ndikimi kanë tek PD kritikat e vazhdueshme të Topallit, Rulit, Bregut apo ndonjë deputeti tjetër? Sa e kanë dëmtuar atë kritikat e tyre?
Kritikat brenda partisë i shërbejnë asaj si provë e demokracisë dhe mendimit ndryshe dhe mbi të gjitha si tregues se opozita ndryshe nga mazhoranca ka pasur shqetësim real Reformën në Drejtësi. Mendoj që Partia Demokratike, si një forcë e dalë kundër shtypjes së lirisë së mendimit, nuk ka qenë edhe as mund të jetë kundër kritikës që përpiqet të artikulojë gjithsecili. Prandaj çdo kritikë apo mendim ndryshe është vlerë e shtuar brenda një partie që beson tek liria dhe jo arbitrariteti.
Kushtetuta e re tashme ka hyrë në fuqi, por duke prodhuar ngërçet e para pasi funksionimi i saj varet nga miratimi në Kuvend i paketës me 7 ligjet. Pse këto vonesa?
Sigurisht që komisionin nuk e drejton PD dhe nuk mund të imponojmë ne kalendarin e komisionit dhe të Parlamentit, por besoj se diskutimi dhe miratimi i 7 ligjeve kanë nevojë për një proces transparent, të plotë e gjithëpërfshirës, që duhej ti ishte rezervuar dhe Kushtetutës. Sigurisht që vullneti nga ana jonë nuk mungon.
Perse nuk votohet ligji për vetingun?
Për këtë duhet pyetur mazhoranca, nuk mundet që opozita të bëjë edhe rolin e mazhorancës. Por besoj se tani që ka nisur procesi i diskutimit është thjesht çështje kohe.
A besoni tek zbatimi i reformës në drejtësi e cila nisi me qëllimin e një drejtësie të pavarur, e paanshme nga presionet politike e financiare, dhe që do t’i japë fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?
Ne u përpoqëm ta sillnim reformën brenda kornizave të parimeve të një shteti që ka pushtete të ndara, duke mbajtur check and balance, natyrisht që për të kuptuar reformën dhe arritjet e saj do kohë. Por, siç e kam thënë edhe më parë, është një gur i rëndësishëm në shtetbërje dhe që do të gjykohet nga zbatimi i saj, sidomos nga një kryeministër që kërkonte tjetër gjë nga kjo që kemi sot të votuar. Shumë larg ideales, shumë larg procesit që duhej të kishte ndodhur për ndryshime kushtetuese, por më i rëndësishëm se procesi gjykoj se ishte konsensusi. Shembull për të kuptuar dëshirën për zbatim është edhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarëve për në Gjykatën e Strasburgut, ku kryeministri refuzon t’u bëjë atyre vettingun për të cilin aq shumë fliste dhe zotohej jo më larg se një muaj më parë. Mua kjo shprehja “kulturë pandëshkueshmërie” më duket një togfjalësh propagandistik, që përdoret nga qeveria kur ajo kërkon armiq. Njësoj si shprehjet e dikurshme “armik i popullit”, thjesht propagandë e shprehje e gjetur për marketing nga Rama, sepse kur vjen puna që gjykatat marrin vendime për drejtues policie në shkelje flagrante të ligjit atëherë janë të korruptuara dhe do të ndëshkohen me reformën në drejtësi, kur bashkiakët e inkriminuar lirohen nga gjykata atëherë kjo e fundit s’ka pse të ketë frikë reformën. Kur gjykata merr vendim kundër për saktësinë e datës së zgjedhjeve në Dibër kërcënohet me vetting, kur merr vendime pro atëherë nuk ka vetting. Kjo nuk është sjellje serioze e një mazhorance, por sjellje kapricioze e saj.
Sa vite besoni se do ti duhet Shqipërisë për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi?
Në politikë dhe sidomos në atë shqiptare, kam mësuar se është shumë e vështirë të vendosësh kufij kohorë për çështje të tilla. Sot me rëndësi janë përmbushja e akteve ligjore dhe nënligjore dhe kompletimi i hierakisë vertikale si dhe zbatimi i saj. Sfida reale është kjo, të shohim se si kryeministri dhe qeveria e drejtuar prej tij do të sillen në raport me një kushtetutë ndoshta jo siç e kishin ëndërruar, por që edhe ato e votuan. Të tjerat ia lëmë kohës.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: