Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar aktori i njohur Julian Deda, i cili rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim për jetën e tij profesionale dhe atë private.

Aktori gjatë bisedës foli për marrëdhënien e ngushtë që ka me dy prindërit e tij. Ai tregoi se babai i tij, aktori i mirënjohur Zef Deda, edhe pse kishte dëshirë që ai të bëhej aktor, asnjëherë nuk ia ka imponuar. Juli zbuloi se në fillim nuk i pëlqente aktrimi, edhe pse herë pas herë i ati e merrte me vete në Teatër. Ai tha se gjithçka ndryshoi pasi mori pjesë në një shfaqje në teatrin “Migjeni” kur ishte në vitin e dytë gjimnaz, filloi që t’i pëlqente dhe më pas rruga e tij nuk u nda nga arti.

Teksa babai i tij ka kritikat e veta sa i përket anës profesionale, nëna është gjithmonë ajo që e komplimeton dhe nuk ia kursen fjalët e mira në çdo rast. “Me mamin kam raport shumë të mirë. Kur shkoj tek ajo jam ende 3 vjeç për të”, tha aktori.

Jul Deda foli në program edhe për familjen e bukur që ka krijuar. Ai tregoi se me bashkëshorten është njohur kur kanë qenë 17 vjeç, ndaj rrugëtimi i tyre nuk ka qenë fort i lehtë por ata kanë mundur t’ia dalin. “Armanda është shoku më i mirë i jetës sime. Them shoku pasi unë me atë konsultohem për gjithçka. E kam patur në krah dhe më ka mbështetur përgjatë viteve, pavarësisht vështirësive që kemi hasur, qoftë për shkak të profesionit tim”.

Moment shumë i bukur për aktorin ishte kur në program u shfaq një videomesazh nga bashkëshortja e tij. Ajo kishte zgjedhur disa fjalë të bukura zemre, nga të cilat Juli u emocionua.

Juli dhe Armanda janë prindër të dy fëmijëve, një vajze dhe një djali. I pyetur se çfarë dëshiron që të bëhen fëmijët e tij, Juli tha, “Dua që të ndjekin rrugën që i bën të suksesshëm”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: