Igli Tare shpërthen kundër Juventusit. Drejtori sportiv i Lacios nuk e ka quajtur korrekte mënyrën se si bardhezinjtë kanë dashur të transferojnë në Torino sulmuesin Keita Balde.

Ai ka thënë se “Zonja e Vjetër” fillimisht duhet të kontaktonte nga afër me klubin dhe të bënte një ofertë zyrtare në zyrat bardhekaltër dhe pastaj të kontaktonte vetëm me lojtarin. Tare thotë se drejtuesit bardhezinj kanë folur me lojtarin pa komunikuar fillimisht me klubin. Veprim ky që ka tërbuar jo vetëm Taren, por edhe presidentin Lotito.

SHPËRTHEN TARE

Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare thotë se gjatë kësaj kohe ka pasur shumë oferta për sulmuesin Keita.

“Kemi marrë shumë oferta nga 3 skuadra të mëdha, të cilat kanë ofruar mes 30 dhe 45 milionë euro. Mendoj që ta shesësh për vlerën 30 milionë euro një lojtar si ai do të thotë ta falësh. Këto tre klube të mëdha që kanë shfaqur interes na kanë kërkuar lejen për të folur me lojtarin dhe me agjentin e tij.

Ndërkohë, Juventusi nuk e ka bërë këtë gjë dhe nuk ka folur kurrë zyrtarisht me klubin e Lacios. Ne e dimë që ata po flasin me agjentin e lojtarit dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, tha fillimisht Tare. Më tej, ai sqaron se objektivi i Lacios është të rinovojë kontratën me lojtarin, por për shitjen do të vendosë vetëm klubi.

“Sigurisht që ne duam ta rinovojmë kontratën e Keitasë, sepse ai është një lojtar i rëndësishëm. Por, sigurisht që, në rast se do ta shesim, do të vendosim ne shifrën. Është e rrezikshme dhe e pakuptimtë që ta mbajmë edhe një vit dhe të largohet me kosto zero”, thekson drejtori i Lacios. Oferta e Juves nuk i kalon 30 milionë euro dhe për ta zgjidhur këtë çështje duhet të mendojë menaxheri i lojtarit.

LOTITO

Shumë i ashpër në reagimin e tij ka qenë edhe presidenti i Lacios. “Nuk kam refuzuar vetëm Milanin, por edhe katër skuadra të tjera që na kanë kontaktuar realisht. Napoli dhe një klub anglez kanë dashur sulmuesin tonë. Juventusi të mos bëjë si dinak me mua, sepse mund të thyejë turinjtë”, ishte deklarata e presidentit të Lacios./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: