Në programin “Gëzuar me ju” këtë të diel ishte i ftuar këngëtari i njohur Bashkim Alibali së bashku me miq, bashkëpunëtorë, artistë, të cilët ndanë gjatë programit kujtime me artistin.

Kënga e parë që Bashkim Alibali zgjodhi të këndojë ishte “Sonte këndoj për ju”, një këngë me tekstin të madhit Jorgo Papingji, i cili fatkeqësisht rreth një javë më parë ndërroi jetë.

“Sonte këndoj për ju”, të cilën Bashkim Alibali e prezantoi për herë të parë në programin “Gëzuar me ju”, është ndër këngët e fundit që Jorgo Papingji ka shkruar.

Bashkim Alibali e kishte zgjedhur këtë këngë në kujtim të “Mjeshtrit të Madh”, teksa pas interpretimit zgjodhi t’i dedikonte atij disa fjalë zemre. “Jorgo Papingji ka qenë gjigant”, tha ai, duke sqaruar se ne e përdorim shumë shpesh këtë fjalë, por në këtë rastin e Jorgo Papingjit theksoi se është mëse i merituar ky titull.

Këngëtari zbuloi se ka 24 këngë, tekstet e të cilave janë shkruar nga Jorgo Papingji. “Jorgo ka qenë një mik i mirë i imi”, tha Alibali, ndërkohë që kujtoi se në momentin që ai mbaronte poezinë asnjë kompozitor nuk ia kthente.

Në mes të të ftuarve këtë të diel në News24 ishte edhe kompozitori Sokol Marsi, i cili theksoi se Bashkim Alibali gjithmonë ka patur një tendencë moderne të të kënduari, ndërkohë që shtoi se është një nga artistët më korrektë dhe shumë i qetë, që edhe kur dëshiron ndryshime këto i kërkon më shumë qetësi. “Ka dalë shumë bukur, por do ndryshuar x gjë”, tha duke shkaktuar të qeshura në studio.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb