Aktivisti Erald Noj i ftuar në News24 komentoi aktualitetin politik, nga masa e sigurisë për ish-drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni deri tek protesta kombëtare kundër qeverisë.
Noj theksoi se beson se SHBA-të kanë dijeni për atë që ndodh në Shqipëri dhe për regjimin këtu, duke shtuar se ka besim se ambasadori i ri amerikan Eric Uendt do të sjellë ndryshime.
“Vlora Hyseni është dashnore e krimit. Ne e kemi ditur të gjithë se Hyseni është shkarkuar në Kosovë se ka shitur informacione tek Serbia. Kjo është çmenduri, që SHISH drejtuesen e ka armike. Ka rënë siguria kombëtare.
Ne kemi prishur balancat dhe me FBI-në, sepse kemi korruptuar një agjent të FBI-së. Unë besoj se Amerika ka dijeni se Shqipëria është kapur nga krimi dhe besoj se do ketë ndryshime me ambasadorin e ri amerikan Eric Uendt”, tha aktivisti Noj.
Duke folur për protestën, nënvizoi se është duke u krijuar një lëvizje e re. Më tej, tha se beson se protesta do të fitojë dhe Rama do të rrëzohet nga pushteti.
“Ne nuk dorëzohemi deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ne e kemi ndarë mendjen. Ne e kemi kuptuar se Shqipëria është shitur. Po vijnë të huajt dhe po e pushtojnë vendin. Unë jam dëmtuar si familje, por ne po rezistojmë. Ne po prishim balancat e politikës. Koha do na japë të drejtë se ka djem nënash e vajza patriote që po rezistojmë. Vetëm Edi Rama nuk është në burg, gjithë qeverinë e ka pas hekurave. Për protestën, unë kam qenë për një lëvizje politike. Jam në dijeni se një grup përpiqet të bëjë diçka ndryshe. Një lëvizje e re po krijohet, por diçka më konkrete do e kemi me kohën”, deklaroi Noj.
