TIRANË

Ish-deputeti socialist Ervin Bushati thotë se PS është progresi dhe një projeksion drejt së ardhmes. I ftuar në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, Bushati foli për kabinetin e ri qeveritar si dhe programin e prezantuar nga kryeministri Edi Rama.

Sa i përket qeverisë, ai deklaroi se PS ka marrë për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptarë një mandat të tretë dhe se duke pasur ekzekutivin, legjislativin,  pushtetin qendror dhe pushtetin lokal, patjetër që duhet bërë një përzgjedhje ku të harmonizohen dhe të bashkërendohen dhe baraspeshohen të gjitha këto dimensione.

Lidhur me programin Bushati tha se është një program realist dhe që ka adresuar sfidat, duke u ndalur më tej tek rritja ekonomike në vend, në raport me GDP-në.

Një opinion për kabinetin e ri qeveritar. Duhet që PS të ecë fortë përpara dhe qeveria me këtë kabinet?
Kjo është PS e 2025, pra PS është progresi i së ardhmes. Në qoftë se, forca tjetër politike ka mbetur në një ngërç tip ’97, PS është një projeksion drejt së ardhmes, është për nesër. Në qoftë se PD ishte për dje, PS është për nesër. Duke ditur që ky është mandati i tretë, është një risi, jemi në një territor të paeksploruar më përpara. PS në këtë histori të shkurtër të demokracisë shqiptare, për herë të parë ka marrë një mandat të tretë. Punohet më shumë, ka ekzekutivin, ka legjislativin, ka pushtetin qendror, ka dhe pushtetin lokal. Në këto katër fusha, patjetër që duhet bërë një përzgjedhje ku të harmonizohen dhe të bashkërendohen dhe baraspeshohen të gjitha këto dimensione. PS është më e madhja në vend. Është një organizatë e strukturuar. Një strukturë shumë moderne. Dimë dhe të punojmë për të ardhmen. Sot po punojmë për 2025.

Nisur dhe nga programi politik që kryeministri prezantoi në seancë plenare dhe duke u fokusuar tek ato që i prekin drejtpërdrejt shqiptarë, ju jeni ekspert i ekonomisë, sa frymëzon ky program për të ecur ekonomia përpara dhe sa rezultativ do të jetë?
Sa realist është problemi ka të bëjë në radhë të parë me sfidat që ne po kalojmë. Po të shikosh ne jemi shumë të ndërgjegjshëm, qeveria është e ndërgjegjshme që ne jemi akoma në efektet e pas tërmetit, jemi akoma nën efektet e krizës COVID dhe të dyja këto e kanë vënë në një stres të madh shoqërinë dhe ekonominë dhe patjetër që duhen adresuar. Këtu programi është shumë i qartë. Para 2-3 ditësh kanë dalë dhe të dhënat e INSTAT, ku Shqipëria ka një rritje ekonomike impresive. 17.9%-18% në raport me çfarë ka ndodhur një vit më parë është një rritje e madhe. Pra, kemi ditur t’i përgjigjemi dhe kam përshtypjen që këtë vit ekonomia do të jetë më e madhe, jo vetëm se 2020, por dhe më shumë se 2019. Në radhë të parë i përgjigjet këtyre sfidave.

E dyta, është realist sepse nuk është as program elektoral. Nuk është se jemi para zgjedhjeve dhe kryeministri është në ngërçin nëse i bën dot 71 mandate. Qeveria mori 79 mandate, nuk kishte as pse të premtonte gjëra që nuk mund të duken realiste për t’u bërë. Janë për t’u bërë, do bëhen dhe nuk është se është në mandatin e parë dhe kemi një kryeministër të ri që nuk di se çfarë bën. Kemi një kryeministër që është për herë të tretë aty dhe e di mirë që çfarë thotë e bën dhe çfarë ka bërë e ka thënë. Që këtë tremujor që dolën të dhënat, pati një rritje që është shumë e lartë. Në rajon nuk ka ndodhur, por edhe në vende të tjera është shumë e rrallë të ketë një rritje 18% në raport me GDP-në. Dhe si 6-mujor, 11% më shumë se 2020 dhe patjetër që i ka dhënë efektet. Investimet në ndërtim dhe në rikonstruksionin e të gjitha banesave dhe shkollave kanë filluar të ndihen. Masat që ka marrë qeveria për të hequr taksën nga biznesi i vogël, pagat e luftë, ndihma fiskale që i ka dhënë gjithë ekonomisë dhe biznesit e ka dhënë efektin dhe ne po e shohim.

Unë pres që edhe 3-mujori i tretë të jetë shumë i mirë. Është rritur shumë turizmi, ne e pamë se çfarë kërkese kishe. Nuk gjeje më facilitete bosh pranë detit dhe në të gjithë Shqipërinë. Turizmi ka pasur një hov të madh. Patjetër, duhet parë se kush do të jetë Shqipëria e ekonomisë së nesërme.

Nga ato çfarë ne kaluar, tërmeti, pandemia, çfarë cedoi apo dështoi që tani duhet riparuar?
Shqipëria nuk është Zvicër ne e dimë mirë. Mendoj që në kushte krize asnjë qeveri nuk mund të performonte më mirë se kjo. Nuk di të ketë ndonjë rast të paktën në historinë e Shqipërisë që një qeveri të ketë performuar më me përgjegjshmëri dhe më e bindur dhe e qartë për misionin e vështirë që ka. Pra, është e admirueshme mënyra se si i është ndenjur pranë qytetarëve gjatë kohës së tërmetit. Unë kam qenë vetë në fushë, në terren. Ra pandemia i kemi ndihmuar njerëzit, iu kemi ndenjur pranë të gjithëve. Nuk mendoj se mund të bëhej më mirë se kaq. Vaksinimi ka ecur shumë mirë. Kemi dhe vende të zhvilluara sot të botës që nuk janë në këto nivele dhe nuk e nisën aq shpejt fushatën e vaksinimit dhe duke e ditur nivelin e zhvillimit ekonomik, apo dhe të mënyrës se si ne e kemi shëndetësinë, nuk jemi Itali, prapë mendoj që funksionuam si shoqëri dhe si ekonomi dhe më mirë se Italia kur u bllokua rëndshëm nga COVID. Ky është realiteti shqiptar. U menaxhua shumë mirë mendoj dhe patjetër që sfida do jetë, qytetarët kanë një pritshmëri, duan një të ardhme më të mirë, shpresojmë të dalim sa më shpejt nga pandemia, por mendoj që shqiptarët kanë nevojë dhe për një ndjenjë shprese. Ekonomia, por edhe shoqëria nuk është vetëm realiteti, është dhe pritshmëria, çfarë mendon se do të jetë e nesërmja. Në qoftë se qytetarët ndihen optimistë dhe janë ndjerë që shoqëria do vazhdojë e hapur, nuk do mbyllemi, fëmijët do shkojnë në shkolla se dhe kjo është shumë e rëndësishme, do vazhdojë jeta. Do shpenzojmë më shumë, do investojmë më shumë dhe ne këtë e kemi parë që ka ndodhur. Në 6-mujorin e kaluar Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike impresive dhe kjo është e vërteta. Është dhe pritshmëria ndaj të ardhmes që mendoj që e ka çuar përpara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb