Qytetarët e shtetit të Kalifornisë në SHBA votuan me shumicë dërrmuese për guvernatorin e tyre demokrat, Gavin Newsom, duke refuzuar përpjekjet e republikanëve për ta rrëzuar atë. Republikanët i kanë thirrur zgjedhjet e posaçme kryesisht për shkak të mënyrës së menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

Newsom ka urdhëruar detyrimin për veshje të maskës dhe izolimin e qytetarëve. Me shumicën e votave të numëruara, rrjetet televizive NBC dhe CNN parashikuan fitoren e Newsomit me rreth dy të tretat e votave. Miliona qytetarë votuan me postë, duke mundësuar numërimin e shpejtë të votave, menjëherë pas mbylljes së votimit. Përpara se të hapej votimi, rivali kryesor i Newsomit, Larry Elder, tha se votat janë manipuluar.

Kalifornia është shteti më i populluar i SHBA-së. Newsom ndodhet në vitin e tretë të mandatit të tij katërvjeçar. Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris kanë bërë fushatë me të përpara zgjedhjeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: