TIRANË

PS i kërkon informacion Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK se në çfarë faze janë hetimet për çështjen e privatizimit të CEZ. Bëhet fjalë për kallëzimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 11 personave të tjerë për gjetjet e komisionit parlamentar hetimor për CEZ.

Në shkresën dërguar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, si Prokurorisë së Përgjithshme ashtu dhe SPAK thuhet se “kërkojmë të informohemi se në çfarë gjendje apo shkallë procedimi është, nëse kjo çështje ka kaluar në kompetencë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe nëse po, në çfarë gjendje apo shkallë procedimi është.

Po kështu në shkresën dërguar kreut të Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja, Balla kërkon informacion për kallëzimin me akuzën e korrupsionit për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë në vitet 2005-2013; drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë; Jamarbër Malltezi, aksioner i 35% të aksioneve në Kompaninë “Homeplan” shpk, bashkëshorti i Argita Sali Berisha; administratori dhe aksionerë të kompanisë “Homeplan” shpk; Administratori dhe aksionerë të Kompanisë “Kontakt” shpk; anëtarë të Komisionit të Kthim Kompensimit të Pronave; Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit; Zyrtarëve të Drejtorisë së Administrimit dhe të shitjes së pronave publike në funksion në vitin 2008.

Komisioni hetimor për privatizimin e CEZ i kërkonte prokurorisë që të marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha, si persona përgjegjës për privatizimin abuziv të OSSH, me akuzën se u ka shkaktuar taksapaguesve shqiptarë 415 milionë euro dëm ekonomik.

KËRKESA E PLOTË
Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr.36/2016, ka miratuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili kishte si objekt “Hetimin dhe verifikimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin 10116 datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s.-së, si edhe evidentimin e efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, dhe njëkohësisht ka miratuar dërgimin e këtij raporti në Prokurorinë e Përgjithshme për fillimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasve:
1. Sali Ram Berisha, ish-kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Refuzimi për të dëshmuar”.
2. Nue (Nuel) Nik Kalaj për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për të dëshmuar”, “Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit, apo përkthyesit”.
3. Genc Ruli, Ish-ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës/ Kryetar i Komitetit të Konculencës dhe Transparencës, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
4. Ridvan Bode, Ish-ministër i Financave për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim i detyrës”.
5. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
6. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negociimit të Marrëveshjes me CEZ a.s për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
7. Florion Mima, ish-zv.ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
8. Enno Bozdo, ish.zv.Ministër i METE për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
9. Ledina Mandia, ish-avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
10. Shkëlzen Sali Berisha për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
11. Bujar Nepravishta, ish-kryetar i Entit Rregullator të Energjisë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
12. Sokol Ramadani, ish-kryetar i Entit Rregullator të Energjisë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Në vitin 2017, Kuvendi ka depozituar raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor në Prokurorinë e Përgjithshme për ndjekje penale sipas konkluzioneve të raportit.
Në lidhje me këtë kallëzim dërguar Prokurorisë së Përgjithshme kërkojmë të informohemi se në çfarë gjendje apo shkallë procedimi është, nëse kjo çështje ka kaluar në kompetencë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe nëse po, në çfarë gjendje apo shkallë procedimi është.
Me anën e kësaj memo kërkojmë të informohemi se në çfarë gjendje apo shkallë procedimi është ky kallëzim.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb