Filmi i ri i Christopher Nolan, “Odisea”, po korr sukses të madh në arkë, por fansat e regjisorit britanik do të duhet të presin gjatë për projektin e tij të radhës.

Nolan ka bërë të ditur se do të kalojnë të paktën tre vite përpara se një tjetër film i tij të mbërrijë në ekranin e madh. Në një intervistë për emisionin “Today” të NBC-së, regjisori u pyet për ritmin e tij të punës, pasi në vitet e fundit ka publikuar një film të ri pothuajse çdo tre vjet.

Pas “Interstellar” (2014), Nolan solli “Dunkirk” (2017), më pas “Tenet” (2020) dhe “Oppenheimer” (2023), duke ndjekur një cikël të ngjashëm prodhimi. Ai konfirmoi se edhe për filmin e ardhshëm do të nevojitet një periudhë e gjatë përgatitjeje.

Regjisori pranoi se puna për adaptimin e veprës së Homerit, ku ai është njëkohësisht shkrimtar, regjisor dhe producent, ka qenë një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij.

“Kam arritur kufijtë e qëndrueshmërisë sime dhe mendoj se edhe të gjithë të tjerëve. Është ‘Odisea’; nëse nuk duket e vështirë, atëherë nuk po e bëjmë siç duhet”, u shpreh Nolan.

“Odisea” është një nga projektet më ambicioze të regjisorit, i cili pritet të sjellë një version epik të poemës së lashtë të Homerit, duke kombinuar stilin e tij të njohur kinematografik me një histori klasike që ka frymëzuar breza të tërë.

Për filmin “Odisea” , Nolan bëri histori duke e xhiruar tërësisht në film IMAX 70 milimetërsh, duke shpjeguar: “Shkova në IMAX dhe thashë: ‘Shikoni, nëse ndonjëherë do ta përmbushim këtë ëndërr për ta xhiruar të gjithë filmin në atë mënyrë, ky është ai. Ky është Odisea’ .”

“Odisea” është tashmë në kinema dhe pritet të arrijë mbi 257 milionë dollarë fitime në të gjithë botën , hapja e tij më e mirë globale që nga “The Dark Knight Rises ” (2012), i cili u hap me 249 milionë dollarë.

Në të luajnë Matt Damon, Anne Hathaway, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson, Tom Holland, Zendaya, Charlize Theron dhe shumë emra të tjerë të njohur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb