Gjyqësori iranian njoftoi këtë të diel se ka ekzekutuar me varje dy burra të dënuar për vrasjen e oficerëve të policisë gjatë protestave antiqeveritare që tronditën vendin në muajt dhjetor dhe janar.

Sipas autoriteteve, Erfan Esfandiary dhe Gol-Mohammad Mohammadi u shpallën fajtorë për sulmin ndaj efektivëve të policisë në qytetin e Isfahanit. Gjyqësori pretendon se ata i lidhën oficerët në një tabelë rrugore me litarë, i goditën me gurë, i spërkatën me benzinë dhe më pas u vunë flakën.

Aktakuza gjithashtu pretendon se dy të dënuarit filmuan ngjarjen dhe shpërndanë pamjet në rrjete televizive jashtë Iranit.
Sipas njoftimit zyrtar, ekzekutimet u kryen në agim, pasi dënimet e tyre u lanë në fuqi nga Gjykata Supreme. Autoritetet nuk dhanë detaje mbi datën e arrestimit apo zhvillimin e procesit gjyqësor.
Protestat në Iran shpërthyen fillimisht në dhjetor si reagim ndaj rritjes së kostos së jetesës, por më pas u shndërruan në demonstrata të gjera kundër qeverisë, duke arritur kulmin më 8 dhe 9 janar.
Autoritetet iraniane deklarojnë se më shumë se 3,000 persona humbën jetën gjatë trazirave, duke ia atribuar dhunën “akteve terroriste” të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Nga ana tjetër, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë akuzuar regjimin iranian për represion të ashpër ndaj protestuesve, duke raportuar mijëra viktima.

Situata u përshkallëzua më tej pas sulmit të përbashkët të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit më 28 shkurt, i cili çoi në një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme. Që prej asaj kohe, autoritetet iraniane kanë intensifikuar arrestimet dhe ekzekutimet, duke i lidhur ato me protestat dhe zhvillimet e luftës.

Sipas organizatave ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International, Irani mbetet vendi që përdor më shumë dënimin me vdekje pas Kinës. OJQ-të Iran Human Rights dhe Ensemble contre la peine de mort (ECPM) raportojnë se gjatë vitit 2025 në Iran u ekzekutuan mbi 1,639 persona, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1989.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb