TIRANE- Presidenti i vendit Bujar Nishani mblodhi sot për 3 orë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për situatën e krijuar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike.

Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura, nisi rreth orës 18:00 dhe përfundoi në 21:21, ku ishin të pranishëm kryeparlamentari Ilir Meta, zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i Drejtësisë Ylli Manjani, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ai i Jashtëm, Ditmir Bushati, ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe drejtori i policisë së Shtetit, Haki Çako.

Zëvendës kryeministri Niko Peleshi deklaroi në përfundim të mbledhjes se ishte një tryezë e vonuar e cila duhet të ishte mbledhur me kohë dhe se pritet që në muajin janar të hartohet një strategji kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, “ndonëse është një fenomen që nuk ka lindur sot”, siç tha edhe Peleshi.

Screenshot_1-66-655x356-350x190

Sipas tij, debatet për kanabisin duhet të bazohen tek të dhënat zyrtare dhe jo tek perceptimet që i japin karakter politik.
Ai vuri në dukje se puna e deritanishme e policisë i ka dhënë rezultatet e saj, gjë që u vlerësua edhe nga Komisioni Europian në raportin për Shqipërinë, në bazë të të cilit rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Të ngremë në një nivel tjetër luftën kundër këtij fenomeni që nuk lindi sot e as do të mbarojë nesër. Brenda fundit të janarit do të hartohet një strategji integrale kundër kanabisit, duke mundësuar parandalimin e kultivimit dhe duke ofruar incentivë për të varfërit që shpesh kriminalizohen”, ka vijuar Peleshi.

MUNGON KRYEMINISTRI RAMA
I vetmi që e ka bojkotuar mbledhjen ishte kryeministri Edi Rama, për shkak të axhendës së tij personale. Mesditën e sotme ai u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga galeria njujorkeze “Mariana Goodman”, e cila do të ekspozojë edhe pikturat e kryeministrit shqiptar.

Por ndonëse i detyruar nga axhenda, kryeministri e ka shprehur hapur kundërshtinë e tij ndaj mbledhjes së Presidentit Bujar Nishani, duke ironizuar: “Më 1 nëntor Rama pati deklaruar: “Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për kanabisin?! Jo, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të SHQUP-it”.

Presidenti kërkon të dijë nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që sollën këtë situatë me kultivimin e narkotikëve si do të luftohet fenomeni qe ka shqetësuar dhe partneret.

KRERË INSTITUCIONESH E MINISTRA MBËRRIJNË NË PRESIDENCË
ORA 18:14- Në presidencë kanë mbërritur Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kryeprokurori Adriatik Llalla, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreu i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. Në mbledhje janë po ashtu Zv.kryeministri Niko Peleshi, Minisitri i Financave, Arben Ahmetaj si dhe ai i Transporteve, Sokol Dervishi.

Pritet që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të japë një prononcim për mediat pas mbledhjes së Këshilliit të Sigurisë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: