NGA ELDA MENGA

TIRANE– Situata e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend ka bërë që Kryetari i Shtetit të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Mbledhja pritet të nisë pasditen e sotme në ambientet e Presidencës dhe pritet të bëjë bashkë krerët më të lartë të inteligjencës, organit të akuzës, si dhe ministrat e qeverisë, por do të bojkotohet nga Kryeministri Edi Rama.

Axhenda personale ia ka bërë të pamundur shefit të Qeverisë pjesëmarrjen e tij në tryezën e thirrur nga Nishani. Mesditën e së enjtes ai u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga galeria njujorkeze “Mariana Goodman”, e cila do të ekspozojë edhe pikturat e kryeministrit shqiptar.

Edhe pse axhenda e detyron të mos marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, kryeministri nuk ka qenë dakord me vendimin e Presidentit Bujar Nishani.

Më 1 nëntor Rama pati deklaruar: “Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për kanabisin?! Jo, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të SHQUP-it”.

Lulzim Basha nuk do të marrë pjese në tryezën e thirrur nga Presidenti Nishani. Kushtetuta nuk parashikon që lideri i opozitës të marrë pjesë në mbledhjet e KSK, ndaj Bujar Nishani nuk i ka dërguar një ftesë kryedemokratit, edhe pse precedenti nuk mungon që ai t’i këtë kërkuar të jetë prezent.

Kujtojmë këtu se në mars të 2014, Presidenti Nishani pati ftuar liderin e opozitës për të marrë pjesë në mbledhjen e KSK e cila do të hartonte dokumentin e strategjisë së sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kreu i Komisionit të sigurisë, Spartak Braho, pritet të marrin pjesë në mbledhjen ku do ta raportojnë ministri i Brendshëm, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, ai i Policisë së Shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Presidenti kërkon të dijë nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që sollën këtë situatë me kultivimin e narkotikëve si do të luftohet fenomeni qe ka shqetësuar dhe partneret.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb