Bashkimi Evropian ka nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit në botë.

Tetë nga dhjetë vendet me konsumin më të lartë të alkoolit janë në Evropë, duke përfshirë Islandën, Norvegjinë dhe Ukrainën.

Abuzimi me alkoolin jo vetëm që shkakton dëme ekonomike dhe ushtron presion mbi sistemet sociale dhe shëndetësore, por shkakton kancer. Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të lidhura me alkoolin në Evropë. Ekspertët theksojnë se rreth gjysma e rasteve të kancerit të gjirit të lidhura me alkoolin në BE janë për si pasojë e pirjes së lehtë ose të moderuar.

“Alkooli është një kancerogjen i Grupit 1, në të njëjtën kategori si arseniku, asbesti dhe duhani. Megjithatë shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e shumta që paraqet alkooli për shëndetin e tyre,” tha Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën.

Kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin në BE dhe në vitin 2016 pothuajse 80,000 njerëz vdiqën nga kanceret e lidhura me alkoolin, ndërsa rreth 1.9 milionë vite jetë humbën për shkak të vdekshmërisë së parakohshme. Kështu, OBSH ka nisur një fushatë, të financuar me 10 milionë euro, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe politikëbërësve mbi lidhjet midis konsumit të alkoolit dhe rrezikut të kancerit. Projekti planifikon të përmirësojë etiketat paralajmëruese shëndetësore për pijet alkoolike, kontrollin e alkoolit dhe të forcojë edukimin shëndetësor mbi këtë temë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb