DIBËR- Në çelje të fushatës për zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës, kandidati i djathtë, Sherefedin Shehut deklaroi se është i gatshëm që t’i kthejë qytetarëve dibranë shpresën e humbur. Gjatë fjalës së tij, Shehu theksoi se arsyeja e kandidimit ishte për ti shlyer borxhin që i ka Dibrës, qyteti ku ai u rrit. Nga ana tjetër Shehu theksoi se kryeministri Rama nuk mund të tallet më me dibranët, kur vjen dhe i kërkon votën. Ai shtoi se do ti shërbejë qytetit dhe qytetarëve të saj.

“Jam këtu para jush për të fituar besimi tuja. Kësaj here jo për mandate, por për t’ju kthyer shpresën. E mora këtë vendim, për të kandiduar për detyrën e kreybashkiakut, për të shlyer me punën time, ‘borxhin’ e madh që i kam Dibrës. Për këto arsye unë sot qëndroj para jush, jo vetëm si profesor por dhe si njeriu që do punojë për ti shërbyer Dibrës. Kjo qeveri i ka poshtëruar qytetarët. Pas gjithë këtyre, kryeministri vijon të tallet me dibranët”, tha Shehu.

FJALA E PLOTE E SHEHUT
Të dashur bashkëqytetarë,
Jam sot para jush për të kërkuar edhe një herë besimin tuaj, por kësaj here jo për t’ju përfaqësuar, por për të punuar bashkë me ju për të ndryshuar Dibrën e për t’u dhënë shpresë dibranëve. E mora këtë vendim, për të kandiduar për detyrën e kryebashkiakut, për të shlyer me punën time borxhin e madh që i kam Dibrës. Këtu u linda dhe u rrita. Dibra më mbështeti në rrugën time si profesionist e politikan, më votoi dhe më nderoi. Por mbi të gjitha më dha emrin dibran, i cili më bëri krenar kudo ku kam shkuar e punuar, në Shqipëri apo në botë. Për këto arsye, unë sot qëndroj para jush jo vetëm si profesor, si ekonomist, e as thjeshtë si politikan, por si njeriu që do të shërbejë e të ndërtojë bashkë me ju Dibrën. Dibra ka provuar këto 3 vjet mashtrimin, dhunën e pushtetit dhe grabitjen e pushtetarëve dhe të klientëve të tyre. Qeveria ka poshtëruar qytetarët, rritur varfërinë dhe rinia ka humbur shpresën për të jetuar në këtë vend. Pas gjithë këtyre, kryeministri vazhdon të tallet me Dibranët duke ju kërkuar mbështetje që t’ju shtojë të zezat që ju ka bërë në këto 3 vjet. Por ai nuk mund të tallet me dibranët. Ju e njihni Bexhet Becin por edhe shumë familje të tjera që janë në errësirë sepse nuk mund të paguajnë faturën e rritur të dritave që u premtoi se do ta ulte. Shumica e familjeve dibrane presin të marrin ndihmën ekonomike për të paguar faturën e dritave.

Ju e njihni Izet Selxhaferin i cili kish te punësuar 50 vetë në linjën e përpunimit të frutave, por që po falimenton. Në këtë situatë janë edhe kompania Koop- Frut 2012, Frigoriferi i Mollëve i vëllezërve Nikolli, baxhoja dhe tufa e dhive të Selmanit në Muhurr, etj. Ju e dini se u mbyll Filiali Universitetit e tarifat u rritën dhe për pamundësi financiare shumë student si Daije Kadriu, Ervis Murrja, Gresa Alku, Hike Hoxha, etj, i nderprenë studimet. Pronarët e autobusëve dhe furgonëve kanë humbur punën nga pazaret e licencave. Por dhe ata që i morën janë nën presion nga kriteret skualifikuese absurde të bashkisë të cilat kapërcehen vetëm duke paguar nën dore. Por, ka edhe më keq mbasi ju i njihni Adraman Selishtën dhe Pellumb Farrukun, të cilët u burgosën dhe gjobitën për ndërtimin e një shtëpie të thjeshtë në tokat e tyre në fshat. Këtë situate unë e kam denoncuar në Kuvendin e Shqipërisë por, për të qenë në krahun tuaj, për t’i dhënë zgjidhje së bashku problemeve te Dibrës, për tu dhenë shpresë dhe punë me dinjitet dibraneve, e mora vendimin të ofroj veten time për t’i shërbyer Dibrës dhe dibranëve. Bashkë me vendimin unë kam përgatitur edhe projektin për zhvillimin e Dibrës për tu dhenë zgjidhje halleve dhe problemeve te shumta: Kam takuar mjaft familje që janë në errësirë se s’paguajne dot energjinë. Unë sot dua t’u them këtu para jush, se në Bashkinë e Dibrës nuk do të ketë më asnjë familje që do të rrijë në errësirë se s’paguan dot energjinë.
basha ne diber
Bashkia do të vërë në dispozicion një fond të posaçëm për familjet në pamundësi ekonomike për t’u paguar faturën e energjisë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në dritë. Vizitova bizneset dhe dyqanet dhe u jam angazhuar që tarifat e shërbimeve për ta do të jenë zero dhe se vendimi im i pare, do të jetë ai i uljes në minimum të taksave për biznesin e vogël. Ata do të jenë partnerët e mi për zhvillimin dhe zbukurimin e qytetit. Ndërsa fermerët dhe blegtorët do të mbështeten me ndihmën ekonomike kur ata kanë më shumë nevojë, me ndërmjetësim dhe kontakte me tregtaret si edhe me panaire lokale për kontraktimin dhe shitjen e produkteve të tyre. Ata do të këshillohen dhe ndihmohen nga profesionistët që sot mungojnë në Bashki. Eksperiencën time do ta vë në shërbim të tyre për të sjellë fonde të cilat mbështesin investimet për Baxho, Frigoriferë, Magazina dhe Linjat e Përpunimit. Përvoja dhe besimi që kanë tek unë partnerët dhe institucionet financiare vendase dhe të huaja, do të sjellë investime për shfrytëzimin e burimeve minerale të Gipsit dhe Gurit të Kuq, si edhe të burimeve të tjera që ka Dibra. Ndërsa në bashkëpunim me agjencinë Gjermane për Zhvillim (GIZ) do të punojmë për identifikimin dhe mbështetjen e projekteve për zhvillimin e turizmit familjar, si shtëpitë pritëse apo hanet, shtigjet turistike, etj. Si profesor dhe njeri i universiteteve do të garantoj Rikthimin e Shkollës së Lartë Universitare në Dibër sipas një modeli të përshtatur me arsimin profesional që i përgjigjet tregut të punës dhe i shërben zhvillimit të zonës tonë.

Pastrimi i qytetit dhe heqja e mbetjeve urbane do të përmirësohen që në muajin e pare të punës time, ndërsa përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë prioritet i vazhdueshëm për të gjithë Dibrën. Për zhvillimin e Dibrës zotimi im është mirëmbajtja, zgjerimi dhe përmirësimi i rrugëve të fshatrave me ndërmarrjen e mirëmbajtjes në varësi, por do zbatoj edhe shumë projekte të mëdha të Infrastrukturës. Prioriteti im janë: Asfaltimi i çdo blloku banimi dhe rivitalizimi i hapësirave të gjelbërta në qytet, Unaza e madhe e Peshkopisë, Ndërtimi i Parkut të Gjelbër të qytetit të Peshkopisë, asfaltimi i rrugëve turistike drejt Korabit, Lurës, Selishtës, Dardhës, Reçit, Muhurrit, Arrasit, rrugët e fshatrave Dovolan, Majtarë, Melan, Staravec, Shimcan, Zimur, Bellove, Rabdisht, Zagrad, Cerjan, Vrenjt, Limjan, Shumbat, Venisht, Dypjakë, Sllatine, Kalle, Zall-Kalis dhe Tejs-Radomirë.

Ne do ta kthejmë Dibrën ne një kantier të madh pune dhe punësimi. Mirëadministrimi dhe zgjerimi i rrjetit vaditës do te jetë prioriteti për mbështetjen e bujqësisë. Projektet më të rëndësishme që do të zbatoj janë: Kanalet Vaditës rezervuari i Bllaces-Maqellare dhe Cernjeve-Shumbat, dhe zgjatimi dhe përmirësimi i kanaleve të Fushë Cidhnes, Llixha-Kandërr, Sohodollit si dhe i të gjithë kanaleve të tjerë ekzistuese. Qyteti do të ketë një rehabilitim të plotë të fasadave dhe ndërtesave karakteristike dhe do të rikonstruktohet Qendra Kulturore e Fëmijëve, e kombinuar edhe me funksionin ”KINEMA”. Së fundi duke përgëzuar futbollistët e Korabit ju premtoj se do të fillojmë projektin e rikonstruksionit të plotë të stadiumit te futbollit “Korabi” për ta bërë të standardeve të superligës. Jam i bindur se shumë prej jush me dashamirësi por dhe kundërshtarët tanë do fillojnë sulmet. Po leket ku do t’i gjejë? E para është Vizioni, prioritet e qarta dhe dëshira për t’u shërbyer qytetarëve. Dhe në këtë e kemi dëshmuar. Përvoja , integriteti dhe besueshmëria ime janë garanci për sigurimin e financimit te projekteve nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatoret. Por garanci mbi garancitë e imja dhe e juaja e të gjithëve ne, është kryeministri i ardhshëm Lulzim Basha, i cili Dibrën e ka pasur e ka dhe do ta këtë në prioritet e tij. E jo vetëm kaq, por së bashku me Lulzim Bashën, ne do të përfundojmë atë që nisëm, Rrugën e Arbrit. Prandaj mbështetja juaj për mua mbetet garancia më e madhe për kthimin e punës dhe dinjitetit të Dibrës.
Faleminderit.

Mustafaj: Sherefedin Shehu burrë i mirë, njeriu që i duhet Dibrës
besnik3
Ish-deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj ftoi të gjithë qytetarët që më 11 shtator t’i besojnë votën e tyre Sherefedin Shehut. Pas një kohe të gjatë shkëputje, Mustafaj iu rikthye skenës politike për t’i dhënë mbështetje Shehut, ndërsa pohoi se besonte tek puna dhe vullneti i kandidatit të djathtë, ndërsa e cilësoi atë si një njeri të mirë dhe të pakorruptueshëm. Nga ana tjetër ai ftoi të gjithë të dibranët që të besojnë tek zëri i rinisë.

“Në këtë ditë të bekuar shoh në fytyrat tuaj, kthimin e shpresës, ashtu si në Dhjetor 1990. Në këtë lumë njerëzor që ka vërshuar sot këtu, shoh që shumica janë të rinj, janë lulja e djalërisë dibrane. Këta djemë dhe vajza janë burim i shpresës. Po, po, po. Ata nuk mund të pajtohet me dëshpërimin, dhe nuk munden të pajtohen me këtë mashtrim. Kjo qeveri kërkon ta zbraz Shqipërinë nga rinia, ndaj rinia nuk mund ta pranojë këtë gjë. Dua të besoj se Dibra i ka të gjitha cilësitë për të ngjallur shpresën e gjithë shqiptarëve dhe ka njeriun që duhet ta besojnë për këtë shpresë; ky është Sherefedin Shehu. Është burri i mirë në kuptimin që ju në Dibër i jepni kësaj fjalë. Nuk është peng i korrupsionit, është një punëtor i palodhur, pasi beson se burimi i të gjitha të mirave është puna. Dhe Dibrës i duhet një burrë i mirë me këto cilësi. Rama do një Shqipëri me pleq të nënshtruar. Dua me këtë rast t’i drejtohem në mënyrë të posaçme prindërve, besojeni rininë, ajo do mundet të vrasë frikën. Zoti e bekoftë Dibrën.”, tha Mustafaj.

Mediu: Sot koha për t’u ndarë nga varfëria dhe krimi shtetëror
Kryetari i Partisë Republikanë, zoti Fatmir Mediu, mori pjesë në hapjen zyrtare të fushatës të koalicionit të djathtë për bashkinë e Dibrës, ku edhe u prezantuar kandidati i Partisë Demokratike, zoti Sherefedin Shehu.
Duke vlerësuar maksimalisht figurën e Sherefedin Shehut, si të politikanit, qytetarit dhe të familjarit të përkushtuar, zoti Mediu u shpreh se në asnjë mënyrë Dibra dhe dibranët duhet të pranojnë t’i nënshtrohen aleancës së varfërisë dhe të hashashit. Në fjalën e tij, zoti Mediu theksoi gjithashtu se Dibra me votën e saj, duhet të jetë një sinjal i fortë për të gjithë Shqipërinë, nëse duam të ndahemi nga varfëria, nga krimi shtetëror, nga përbuzja dhe shpërfillja qeveritare.

Pjese nga fjala e kryetarit të PR-së, Mediu:
Të dashur motra dhe vëllezër dibranë
Eshtë kënaqësi të jesh sot mes jush, njerëzve të lirë, që vijnë këtu me shpirtin e tyre, me forcën dhe kurajon e tyre për të filluar atë urgan të madh ndryshimi, që ka nevojë Shqipëria.
Kam nderin dhe kënaqësinë e vecantë, jo vetëm të flas si përfaqësues i Partisë Republikane, por dhe në emër të gjithë kolegëve të mi, të koalcionit të madh opozitar, të bashkimit të Shqiptarëve, të të gjithë atyre që u sakrifikuan nëpër burgjet e komunizimit, të gjithë atyre partive që në themel të tyre kanë lirinë, individin, respektin dhe dinjitetin, familjen dhe kombin.
mediu4
Të dashur motra dhe vëllezër, të nderuar dibranë!
Ju jeni njerëz të mençurisë dhe të punës, të besimit dhe të traditës, jeni njerëz të respektit dhe të nderit. Ju keni bërë historinë e Shqipërisë, keni qenë themeluesit e shtetit shqiptar; keni lidhur besën për të ndërtuar një komb shqiptar i cili të lulëzojë; keni qenë ajo trevë e Shqipërisë që ka bërë histori, që i ka mundësuar Tiranës dhe vendeve të tjera, njerëz intelektualë dhe të ditur, njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar. Prandaj unë kam nderin dhe kënaqësinë e vçantë, ti drejtohem në radhë të parë mikut tim Sherefedin Shehut dhe bashkëshortes së tij. E di që padyshim është një sakrificë e madhe për ta, por sakrifica në emër të njerëzve të ndershëm të Dibrës, sakrifica në emër të Shqipërisë, duhet të jetë detyrim i gjithësecilit nga ne, prandaj unë e falenderoj Sherefedinin, i cili ka bashkuar jo vetëm dibranët, ka bashkuar jo vetëm politikën e djathtë, por ka bashkuar shqiptarë dhe dibranë, këtej e matanë kufirit; ka bashkuar të majtë dhe të dhjathtë.

Sherefedin Shehu, nuk është thjesht përfaqësues i Partisë Demokratike. Sherefedin Shehu është përfaqësuesi i njerëzve të lirë, i mendimit intelektual; Sherefedin shehu është përfaqësues dhe i atyre të majtëve të cilët ndjehen po ashtu të përbuzur, të shpërfillur, të varfër, të ndarë nga fëmijët e tyre.

Unë kam kënaqësinë ta quaj veten mik të Sherefedinit, por kam bindjen që Sherefedini, si një familjar i mrekullueshëm, tani familjen e tij do të ketë Dibrën, cdo të ri dhe të re të Dibrës, cdo burrë dhe grua, çdo të moshuar. Me respekt maksimal karshi tyre, jo duke i përbuzur, jo duke i fyer, jo duke i përjashtuar, por duke i bërë pjesë të rrugës së tij.
Kam bindjen së Sherefedini do të trokasë në zemër të cdo dibrani, të dëgjojë me vëmendje hallet dhe problemet tuaja dhe kam bindjen se është një nga njerëzit më të aftë për të ndërtuar një bashki që t’i shërbejë cdo qytetari të Dibrës. Ky është Sherefedin Shehu.

Sherefedin Shehu po ashtu ka një vlerë tjetër. Në të gjithë këto 25 vite mund të çmohet si një nga politikanët dhe shtetarët më të zotë dhe më të ndershëm. Ka qenë një nga iniciuesit e projekteve më të mëdha të zhvillimit të këtij vendi, në bashkëpunim me inistitucionet ndërkombëtare financiare dhe ky është një aset tjetër, i cili nuk shkon thjesht për Sherefedinin, por për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për Dibrën.

Para disa ditësh këtu në Dibër ishte edhe koalicioni i varfërisë dhe i hashashit, i lidhur me lloj lloj njerëzish, të vendosur në rresht, për shkak të dhunës dhe të frikës. Kishte nga të gjitha takëmet, kishte njerëz nga më të ndryshmit: kishte pazarxhinj; kishte bukëshkalë, njerëz që nuk duan dinjitet, por duan t’i shikojnë dibranët nën këmbët e tyre, ashtu sic duan të vendosin nëpërmjet varfërisë dhe frikës, gjithë shqiptarët nën këmbët e tyre.
Por miku im, Besnik Mustafaj tha: Ne e vramë frikën në 1990, prandaj ka ardhur koha që me kurajo dhe me besim, duke u lidhur me njëri tjetrin, të përballemi në këtë fushatë, jo vetëm për Sherefedin Shehun kryetar Bashkie, por të përballemi për çdo shqiptar, që do një qeverisje të drejtë.
Edi Rama u tha se ka 3 vjet që negocion për Rrugën e Arbrit. Ne e filluam rrugën e Arbrit. Mbi 60 milionë euro u hodhën, por u lanë në harresë. Këta kanë 3 vjet që negociojnë me Kinën. Me pak fjalë ju thanë ju dibranëve: Për të shkuar në Tiranë, duhet t’i bini nga Kina. Ky është Kryeministri Ynë.
Këtu janë organizuar të gjitha strukturat e shtetit dhe strukturat kriminale, për t’ju ulur juve kokën poshtë. Prandaj të dashur motra dhe vëllezër, ne duhet t’i shtrojmë disa pyetje vetes sonë sot. Sot dhe vetëm sot, ne jemi njerëz që kemi besuar te vullneti dhe kurajo e jonë, jemi njerëz që besojmë se zoti na i ka dhënë të drejtat tona dhe nuk mund të na i marrë as Edi Rama dhe as shpura e tij. Jemi njerëz që besojmë te liria jonë dhe te vota jonë. Prandaj duhet të nxjerrim për të votuar cdo qytetar të Dibrës, të votojë për dinjitetin, për ndershmërinë dhe jo matrapazët, pazarxhinjtë dhe kriminelët.
Ne sot kemi disa pyetje: A do ta pranojmë ne varfërinë apo të ngrihemi sot për ta luftuar atë? A do të pranojmë që të ulim kokën përballë krimit shtetëror dhe krimit të banditëve që duan të marrin peng të ardhmen e fëmijëve tanë, familjeve tona, Dibrës dhe mbarë Shqipërisë? Jo sot do të ngrihemi për mbrojtur dinjitetin tonë.

A do të pranojmë ne që të na vendosin cmim për votën që të na kthejnë sic kanë kthyer politikën në pazarine e gjësë së gjallë, të na kthejnë të gjithëve si njerëz pa vlerë? Jo motra dhe vëllezër. Sot ngrihemi për t’i thënë jo, se vota jonë nuk ka çmim, se nuk kanë cmim as fëmijët tanë, nuk kanë çmim as familjet tona, nuk ka çmim Dibra, nuk ka cmim Shqipëria.Pra ne duhet të bashkohemi të gjithë sot dhe të vendosim jo vetëm për Dibrën, por për mbarë Shqipërinë.
Unë dua t’i them zoti Rama: Po, Sherefedin Shehu, është vërtetë njeri i mirë! Të jetosh me nder, si Sherefedini është vlerë për Dibrën, është vlerë për të gjithëne. Por të plakesh pa të ardhur mosha, duke përbuzur njerëzit, duk i fyer ata, është padyshim fatkeqësi e madhe. Por ne nuk mund ta shërojmë dot nga kjo lloj fatkeqësie. Ne duhet të bashkohemi me të mirën dhe për të mirën.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: