TIRANË

Besnik Mustafaj ka komentuar sot në News24 edhe zhvillimet në opozitë, tryezat e deputetëve të PD, zgjedhjet në Kukës ku demokratët humbën thellë si dhe qëndrimet e kreut të PD-së Lulzim Basha.

Mustafaj deklaroi se këto takime janë një shenjë e mirë që tregon se po shkojnë drejt një kthjellimi për të qenë bashkë në luftën politike.

“Bashkimi i shumicës së deputetëve të PD-së se të gjithë janë zgjedhur si deputetë të PD, nuk ka një ndryshim etiketash është një shenjë e mirë që tregon se përfaqësuesit në parlamentin e Shqipërisë po shkojnë drejt një kthjellimi se duhet të jenë bashkë për të bërë luftën politike. Formulën e ka gjetur mirë Berisha i cili thotë se është një fillim procesi. Do të mbajnë qëndrime të unifikuara përballë maxhorancës. Bardhi ka një qëndrim dhe pikëpamjen e tij për zhvillimet në PD, por rëndësi ka të jenë bashkë dhe të përcaktojnë kohën në sallën e parlamentit dhe të merren vesh për problematikat”, tha Mustafaj.

Sa i përket zgjedhjeve në Kukës, ai theksoi se nuk priste supriza.
“Në eksperiencën time në Kukës nuk prisja rezultat të thellë. Kurrë nuk ka ndodhur që në një zgjedhje të parakohshme lokale të fitojë opozita. Kështu ndodhi në Dibër para disa vitesh, kur patëm atë historinë e famshme. Në Rrogozhinë para disa javësh dhe tani në Kukës. Tendenca e përgjithshme. Është e zakonshme, nuk ishte surprizë dhe nuk kisha pritshmëri.
Ajo çka më bëri përshtypje ishte fakti se Basha nuk mori pjesë me kandidatë, por çoi numërues të votave. Ti je numërues në një proces ku nuk merr pjesë”, tha ai.

Sa i përket Bashës, Mustafaj theksoi se ai duhet të tregojë një vullnet të ri.
“Nuk shoh asgjë të re te Basha. Ai duhet të tregojë një vullnet të ri. Në fjalorin e tij politik, në sjelljen e tij e ka të vështirë të bëjë një gjë të re. Dallimin mund ta bëjë me aktet që do të tregonin se është realisht një politikan që e dëshiron bashkimin, se e ka kuptuar që pakica nuk i thotë shumicës hajde futu në sqetullën time.
Në nivelin superstrukturor nuk shoh asnjë shans dhe nuk do i jepja të drejtë Sali Berishës që të futej nën hyqmin e Lulzim Bashës dhe nuk shoh asnjë tentativë nga Basha se në një demokraci vullneti i shumicës i nënshtrohet pakicës. Unë ndryshimin e shoh te baza”, u shpreh Mustafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: