Sefedin Ahmetaj dhe Edjola Harunaj, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh, janë arrestuar pasi dyshohet se privuan nga liria një kliente, e cila kishte shkuar për të kthyer një frigorifer banak që, sipas saj, nuk funksiononte dhe kërkonte rimbursimin e shumës së paguar.
Sipas të dhënave paraprake, kërkesa e klientes është kundërshtuar nga dy pronarët, të cilët më pas dyshohet se e kanë mbajtur atë kundër vullnetit të saj brenda ambienteve të dyqanit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë për sqarimin e ngjarjes, Ahmetaj dhe Harunaj dyshohet se kanë kundërshtuar dhe goditur edhe punonjësin e policisë të mbërritur në vendngjarje.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
