Njësia anti-drogë e Janinës arriti t’i japë një goditje trafikimit të drogës, pas një operacioni që rezultoi në arrestimin e një shqiptari dhe sekuestrimin e një sasie prej 167 kilogramësh marijuanë.
E gjitha filloi mëngjesin e sotëm, kur oficerët e policisë nga Nëndrejtoria e Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve pikasën një automjet të dyshimtë me targa ukrainase që dukeshin të falsifikuara, duke lëvizur në zonën e Konicës drejt Kozanit.
Kur u përpoqën t’i bënin shenjë të ndalonte, shoferi u largua me shpejtësi marramendëse. Shqiptari nuk hezitoi të kryente manovra të rrezikshme, duke drejtuar automjetin në drejtim të kundërt për një kohë të gjatë, duke i vënë në rrezik të menjëhershëm shoferët kalimtarë.
Kontrolli brenda automjetit zbuloi 28 pako me 167 kg 200 gramë marijuanë, që ishin vendosur në kabinë dhe në bagazh.
Prej shtatorit, policia greke ka sekuestruar rreth 1 ton marijuanë që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Rastet janë evidentuar në Igumenicë në rrugë tokësore e detare si dhe në Janinë, Selanik e Kostur.
