KORÇË

Policia e Korçës ka arrestuar një 29-vjeçar i cili lëvizte në makinë me një pistoletë me krehër me 7 fishekë.

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë dhe informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas qarkullonte në qytet me armë zjarri, strukturat e Policisë Korçë menjëherë koordinuan veprimet, lokalizuan autorin e dyshuar dhe u vunë në ndjekje të tij.

Shtetasi Mateo Aliko, i cili po lëvizte me mjetin e tij tip “Volkswagen Touareg”, duke parë se ishte vënë në ndjekje nga Forcat e Posaçme Operacionale të DVP Korçë, për të shmangur përgjegjësinë penale, hodhi në një kosh mbeturinash në lagjen nr. 4, armën e zjarrit pistoletë tip “Glock” me 7 fishekë, e cila u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të 29-vjeçarit, banues në Korçë, (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër pronës e sigurisë publike) dhe materialet i referuan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: