TIRANË

Tenderët publikë dhe korrupsioni kanë qenë në fokus të bisedës në studion e News24 me ish-ministrin e Financave Arben Malaj.
Ai i shikon arrestimet e fundit për korrupsion me tenderët si një kapje e shtetit. Malaj tha se pavarësisht se duhet përshëndetur puna e SPAK, është e pamundur që një punonjës i administratës të marrë përsipër të luajë gurët e rëndë të një tenderi 28 mln euro, duke iu referuar tenderit të uniformave në Ministrinë e Brendshme.

“Dua të bëj dallimin a është korrupsion, a është kapje shteti. Instituti për mirëqeverisje është ngritur që më 2013, kur unë u ndava me politikën dhe ka studiues shumë të mirë shqiptarë dhe studentë të talentuar dhe ne jemi fokusuar ku mund të përmirësohet qeverisja. Një nga këto janë menaxhimi i financave publike sepse ajo është fusha kryesore.
Shkrimi për gropat e zeza, ekonomiksi i SPAK-ut është një vit përpara, nuk flasim kur ndodh një ngjarje, ne mundohemi të kontribuojmë çfarë duhet përmirësuar, por kur ngjarja ndodh ne shikojmë që ajo përpjekje që kemi bërë ne, dhe këtu nxis dhe kolegët e tjerë akademikë dhe të OJQ-ve, të jenë më aktivë për atë që duhet bërë më mirë. Në rastin konkret duhet përshëndetur ajo që bën SPAK, por duhet të dallojmë diçka shumë thelbësore. Gjithë ideja nga arrestimet duket sikur në majën e këtij korrupsioni kaq të madh janë thjesht punonjësit e administratës. Nga përvoja e gjatë, edhe para viteve ’90 dhe pas viteve ’90 është e pamundur që një punonjës i administratës të marrë përsipër të luajë gurët e rëndë të një tenderi 28 mln euro.
Por këta punonjës që me vetëdije kanë shkelur procedurat, e kanë bërë dëmin e tyre dhe do të shkojnë në një proces dënimi penal. Sa, unë nuk jam dakord me atë që thuhet pse merreni me peshqit e vegjël dhe nuk merreni me peshkaqenët”, deklaroi Malaj.

Ai theksoi se ligji për menaxhimin e buxhetit, që është bërë me asistencën e BE, që është modern ka përcaktuar qartë mbrojtjen e punonjësit i cili nuk duhet të lejojë që të keqpërdoren taksat.

“Dhe ai thotë, punonjësi zbatues, pra ai që do firmosë, në qoftë se një urdhër nga eprori më sipër është në kundërshtim me ligjin, sipas vlerësimit të punonjësit, ky nuk e zbaton herën e parë dhe lajmëron sekretarin e përgjithshëm të institucionit.
Në qoftë se i bien një urdhër tjetër me shkrim dhe i thonë që i thonë ju duhet ta zbatoni këtë urdhër, pavarësisht se ju duket i kundërligjshëm, ky është i detyruar ta zbatojë, por lajmëron ministrin e Financës që duhet të ketë një regjistër për rastet kur punonjësit e çdo institucioni ankohen se eprori ka dhënë një urdhër të gabuar dhe KLSH, pra lë gjurmë. Pyetja ime është, kaq vite pasi është bërë ky ligj modern europian, a kemi ndonjë të dhënë?
Ligji parashikon që sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, që është personi i nivelit më të lartë në menaxhimin buxhetor, ku janë dhe tenderët, ku janë dhe PPP-të që lindin detyrimet, duhet të raportojë një herë në vit në parlament. Kjo nuk ndodh. Edhe pse thelbi i një qeverisje efektive është ndarja e nivelit administrativ me atë politik, ne kemi mbetur gjithmonë vetëm tek debati politik në parlament”, u shpreh ai.

Malaj tha më tej se nuk paragjykon asnjë koleg, dhe parimisht çdo ministër ka të drejtë të thotë që unë nuk jam pjesë e procesit të tenderimit, ligjërisht, por në qoftë se i kapur nga interesat e oligarkëve, nga etja për fitime të mëdha, ai indirekt ose direkt ndërhyn është bërë vetë pjesë e ligjit.

Ai theksoi se goditja për ekonominë është e madhe.
“Pasojat më të mëdha, po ta shikoni dhe tani, dhe me iniciativën e SHBA-ve, por edhe me iniciativën e BE, korrupsioni dhe kapja e shtetit para së gjithash godet ekonominë. Kur nuk ka garë, ku dihet gjithmonë që garën do ta fitojë ai që ka korruptuar shtetin, bie interesi i biznesit. Kompanitë konkurruese që guxojnë të ankohen japin paralajmërimin që këtu ka elementë shqetësues të korrupsioni. E para është tek ekonomia. Nuk kemi një ekonomi që përmirësohet nga konkurrenca dhe më të mirët. Kemi një ekonomi që shtypet nga korrupsioni dhe kapja e shtetit. E dyta janë taksat, taksat e taksapaguesve shqiptarë dhe taksat e takspaguesve amerikanë e europianë.
Të ngresh agjencinë e prokurimeve publike ne kemi firmosur marrëveshje me USAID, kemi firmosur me BE, ligjin për audituesin, për përmirësimin e ligjit për menaxhimin e financave publike. Pra, BE në ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë më shumë kanë qenë ndihma shtet formuese se sa investime fizike në ekonomi. Por në qoftë se ne harxhojmë para që sekretari i përgjithshëm të jetë përfundimisht niveli më i lartë i administratës publike, në qoftë se kjo nuk zbatohet, në qoftë se pushohen nga puna njerëz për motive politike, në qoftë se gjobat për ta shkojnë 70 milionë, në qoftë se gjobat për arbitrazh ndërkombëtar…dhe kjo ishte pyetja që i bëra para pak ditësh ministres së Financave, e cila na ftoi në një debat për buxhetin 2022-2024 dhe i thashë a keni parashikuar ju si ministre e Financave në buxhet kush do i paguajë 130 milionë euro të Becchettit? Përgjigjja ishte ju lutem jeni jashtë teme. Çfarë teme ka ministri i Financave të një vendi më shumë se sa keqpërdorimi i taksave të shqiptarëve, qoftë si taksa, qoftë si borxhe. Por borxhet që marrim që jepen në PPP-të”, deklaroi Malaj.

Ai tha më tej se nuk jemi në fazën që është dërrmues për ekonominë, demokracinë dhe sigurinë korrupsioni është kapja e shtetit, është niveli më i lartë. “Në fjalor do të thotë që një qeveri e ndërton sistemin e saj të kuadrit ligjor të përzgjedhjes së deputetëve, politikanëve, drejtuesve të institucioneve përgjegjës për të luftuar korrupsionin në favor të disa oligarkëve. Praktikisht, kryeministri mblodhi kryetarët e bashkive, pse duhet t’i mblidhte? Kryeministri ka një agjenci që e paguajnë taksapaguesit shqiptarë, agjencia antikorrupsion. Kjo nuk është luftë me fushata. Ata paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, legjislacioni i tyre modern, për njësitë antikorrupsion është bërë me taksat e donatorëve ne duhet të kemi një punë të përditshme. Unë dyshoj dhe kam të drejtë të dyshoj që struktura e kryeministrit për antikorrupsionin, strukturat e auditimit të brendshëm, pse duhet të na dalin tani kur del SPAK, kur për këto tendera është folur publikisht”, tha ai.

Por a e bën dot administrata këtë? Malaj u shpreh: “Në qoftë se ne nuk synojmë ta ndërtojmë modelin shtet formues të Shqipërisë midis institucioneve dhe individëve, por do presim nga udhëheqësit që bëjnë estradën e radhës, që i mbledh kryetarët e bashkisë dhe i kërcënon, për çfarë i kërcënon, që t’i qëndrojnë besnikë? Ai i ka pasur informacionet dhe për rastin e Lushnjës, kanë qenë publike, janë bërë debate publike. Pse kërcënohet kryetari i bashkisë së Vlorës, meqë nuk del deputet, del një deputet i ri tani dhe unë thotë unë do kërkoj auditim të jashtëm. Pse do kërkosh auditim të jashtëm kur ke auditimin e brendshëm. Pse nuk e ke përdorur?” Sipas tij, sepse është kalbëzuar qeverisja e vendit, në një pjesë të saj.
“E di sa punonjës të mirë ka në administratën publike? Nuk kemi ndjerë ndonjë vështirësi. Në ’97 ishin 90% të PD-së, ata që ishin të mirë mbijetuan dhe Ministria e Financave dhe pak ministri kanë një staf profesional që të nderonte dhe në negociata me FMN. Puna është lidershipi, në qoftë se lidershipi krijon një bërthamë të tijën, të drejtpërdrejtë, zgjedh disa persona në postin e sekretarit të përgjithshëm, në poste ku rrjedhin paratë publike, mjaftojnë këta që ta bëjnë pis të gjithën”, deklaroi ai.

Çfarë i ndodh punonjësit që nuk firmos?
“Mund të pushohet, por meqë thanë se është bërë ligj modern pse nuk i fitonin gjyqet më parë, para se të bëhej ligji për administratën publike që ne BE-ja na e ka kushtëzuar që në kohën që ishim në qeveri. Në qoftë se ju nuk bëni këtë ligj, ne nuk ju japim asnjë ndihmë. Ne kemi pasur debate, duhet të bëjmë ne ligj për të mbrojtur doganat dhe tatimet, kur një pjesë e tyre ishin të korruptuar se kur u bë ligji i administratës, ata fitonin një imunitet të veçantë?! Është bërë ky debat në qeveri.
Ka institucione ku abuzohet, ku 80-90% e punonjësve janë nën presion të 5% të tjerëve, që thonë ok gjëja e parë që do bëj, do siguroj paratë për prokurorin dhe pastaj bëj shkeljen. Prandaj jo më kot theksohet që A-ja, shkopi i Arkimedit për ta ndryshuar situatën, për ta lëvizur nga vendi kulturën e mosdënimit është pikërisht reforma në gjyqësor dhe SPAK. Në vende të tjera ka dhënë rezultate. A do jenë të përhershme? Jo, në qoftë se nuk shoqërohen me një kulturë të përgjithshme, me një angazhim më të mirë. Më lejo të them për punonjësit që janë arrestuar, e para me kushtetutë mund të jenë fajtorë vetëm kur shpallen me vendim gjykate, por nga ana tjetër janë përballe një situate ku të provojnë që nuk e kanë shkelur ligjin. Përderisa është bërë një hetim paraprak dhe mendohet që është krijuar një dëm ata e kanë shkelur ligjin dhe nuk e kanë zbatuar të drejtën që jep legjislacioni kur nuk je dakord.
Është bërë ligji për ‘spiunët’ në administratë, nuk kemi të dhëna që punonjës dhe unë do ta kërkoj dhe me shkrim nga KLSH sepse qeveria nuk të jep përgjigje, ka një urdhër të brendshëm që të mos iu përgjigjet OJQ-ve dhe shkel të gjitha parimet bazë të një qeverisje me pjesëmarrje: a ka nëpunës që e kanë besuar integritetin e tyre dhe që po ky ligj i mbron ata dhe kanë paralajmëruar ministrin e financës dhe KLSH që këto raste duhen verifikuar se kanë risk të lartë. Besoj që do jenë shifra të vogla sepse nuk kanë besim. E para nuk janë trajnuar. Janë nxitur apo nuk janë nxitur? E vetmja gjë që është shqetësuese për mua është që këta individë që do akuzohen, do kenë presion, ose me joshje, ose me kërcënim që të mos flasin”, deklaroi Malaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb