Një super aksion është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Itali, ku është goditur një organizatë e rrezikshme kriminale e trafikut të lëndëve narkotike. Nga operacioni i karabinierëve kanë përfunduar në pranga 13 trafikantë, mes të cilëve edhe disa shqiptarë, të moshës mes 23 dhe 38 vjeç.

Hetimi për bandën kriminale kishte nisur që në janar të vitit 2017, ku siç raportojnë mediet italiane, janë mbledhur elementë dhe prova të padiskutueshme mbi të dyshuarit. Organizata kriminale trafikonte sasi të mëdha droge, e cila përmes bashkëpunimit mes anëtarëve italianë dhe shqiptarë, ndahej në doza të vogla dhe më pas nxirrej për shitje me pakicë.

Siç raportojnë mediet fqinje, anëtarët e bandës arrinin ta kryenin veprimtarinë kriminale në mënyrë të zgjuar, duke e fshehur aktivitetin në sektorin e ndërtimit, por që karabinierët kanë arritur t’i demaskojnë. Vëmendja e hetuesve është drejtuar kryesisht nga sipërmarrësi shqiptar dhe një bashkëatdhetar i tij, të cilët duket se janë organizatorët kryesorë të trafikut.

Në aksion kanë marrë pjesë karabinierët, forca të ushtrisë dhe qenë antidrogë, të cilët kanë zbuluar një depo të vërtetë droge, të ndërtuar brenda një pylli me pisha, në komunën e Ferentinos, e cila ishte në emër të dy shqiptarëve.

Zona është rrethuar nga 50 ushtarë dhe qentë antidrogë, të cilët kanë bërë të mundur zbulimin e 4.5 kg kokainë të pastër, të “varrosur” mes gurëve të mëdhenj. Gjatë kontrollit, janë zbuluar edhe kontejnerë të ndryshëm, ku ishte fshehur 40 kg kokainë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb