TIRANË

Me thirrjet “Toka jonë, shtëpia jonë”; “Poshtë projekti”; “Qeveri hajdute”, banorët e Unazës së Re kanë dalë sot në mbrëmje sërish në protestë për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre.

Ata iu kanë bërë thirrje banorëve të tjerë për t’u bashkuar. Ndërkohë në mbështetje të tyre kanë qenë edhe deputetë të Partisë Demokratike.

“Kjo lëvizje u nis për të mbrojtur shtëpitë tona por ky zaptuesi i karriges së kryeministrit tha që ne jemi zaptues dhe e kishte me shumë nxitim për të shkatërruar shtëpitë tona. A e shikoni se çfarë fshihej pas këtij nxitimi? Karrigia e kryeministrit po tundet dhe jo vetëm nga ne. Këta njerëz të babëzitur të pushtetit nuk po shohin as për arsimin e as për shëndetësinë po donin të nxirrnin banorët në mes të dimrit jashtë”, deklaruan banorët.

Banorët kanë shprehur solidarizimin e tyre për kërcënimet me jetë ndaj drejtuesit të emisionit ‘Të Paekspozuarit’, i cili zbuloi skandalin me kompaninë fituese të lotit të parë prej 18 milionë eurosh për rindërtimin e Unazës së Madhe.

“Solidarizohemi me Ylli Rakipin dhe Unaza e Re i ka dhënë besën Ylli Rakipit. Çdo kërcënim ndaj gazetarëve është kërcënim ndaj banorëve të unazës dhe ne do t’i mbrojmë me të drejtën që na jep Kushtetuta dhe ligji. I bëjmë thirrje Prokurorisë të lëvizë sepse dita-ditës gjendja po përkeqësohet. Ne e kemi bërë të ditur se këtu ka krim”- shprehen banorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb