TIRANE- Ministria e Financave ka reaguar sot pas akuzave të një dite më parë nga Konfindustria se tregu i kasave fiskale është kthyer në oligopol. MF-ja hedh poshtë këto deklarata duke shtuar se, duke filluar nga 2007 ka pushuar së ekzistuari oligopoli dhe monopoli në furnizimin dhe mirëmbajtjen e kasave fiskale.

Duke sqaruar mënyrën e aplikimit, MF tregon edhe një vendim të Këshillit të Ministrave nr.781, datë 14.11.2007, i ndryshuar “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike, të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit, për procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen, me autorizim, të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale” e ka të liberalizuar tregun e shitjes dhe mirëmbajtjes së pajisjeve fiskale.

Konkretisht, në Sesionin II të këtij vendimi, “Procedura e aplikimit dhe e autorizimit të shoqërive të autorizuara” është përcaktuar se: “çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose i huaj, i organizuar si shoqëri aksionare, që kërkon të pajiset me autorizimin “Shoqëri e autorizuar” për furnizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Financave:
a) Kërkesën me shkrim për konkurim për marrjen e autorizimit si “shoqëri e autorizuar”;
b) Deklaratën e plotësimit të të gjitha kërkesave ligjore të karakteristikave dhe funksionaliteteve për pajisjet, të cilat do të tregtohen nga kjo shoqëri;
c) Aktin e themelimit të shoqërisë dhe statutin e shoqërisë;
ç) Vendimin për regjistrimin si person juridik;
d) Ekstrakt të regjistrit tregtar të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit;
dh) Dokumentet për kapacitetet organizative dhe administrative, si më poshtë vijon:
i) Deklaratë për fuqinë mesatare punëtore dhe për numrin e stafit drejtues deri në 3 (tri) vitet e fundit;
ii) Deklaratë për mjetet e pajisjet teknike, që ka në dispozicion apo që mund t’i vihen në dispozicion operatorit ekonomik.
e) Listën e veprimtarive në bazë të të cilave ushtron veprimtarinë. Aplikuesi ose, nëse është bashkim operatorësh, të paktën anëtari kryesues, duhet të ketë përvojë në fushën e teknologjisë, të paktën në 3 (tri) vitet e fundit të veprimtarisë së tij, për të cilën paraqet listën e sipërpërmendur.
ë) Pasqyrat financiare të audituara, të certifikuara nga ekspert (ë) kontabël, për 3 (tri) vitet e plota financiare të fundit, aty ku është e mundur, përfshirë bilancet e konsoliduara, pasqyrat e të ardhurave, pasqyrat e qarkullimit të parasë dhe shënimet shoqëruese për aksionarët e tij ose nëse aplikuesi është një bashkim shoqërish, për të gjithë aksionarët e anëtarëve të tij.
f) Qarkullimin vjetor për 3 (tri) vitet e fundit në total, i cili nuk duhet të jetë më i vogël se 10 milionë euro ose ekuivalente;
g) Burimet e financimit të projektit; gj) Vetëdeklarimin nga aksionarët e tij dhe anëtarët e organeve drejtuese, që vërteton se nuk është në ndjekje penale, si dhe:
i) një dokument që vërteton se aplikanti nuk është në proces falimentimi, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, jo më parë se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
ii) një dokument që vërteton se aplikanti i ka plotësuar detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore, jo më parë se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
iii) një dokument që vërteton se aplikanti i ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore, jo më parë se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.
Personat juridikë të huaj, që aplikojnë për të marrë autorizimin si “Shoqëri e autorizuar”, duhet të paraqesin dokumentet ekuivalente me ato të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, në varësi të legjislacionit të vendit ku personi i huaj është regjistruar.
Aplikanti duhet t’i bashkëlidhë dosjes së aplikimit mandat arkëtimin e pagesës së tarifës së shërbimit, në shumën 200 000 (dyqind mijë) lekë, në llogarinë e Ministrisë së Financave. Dokumentet dorëzohen në protokollin e Ministrisë së Financave. Aplikantit i kthehen ato për plotësim, në qoftë se mungon qoftë edhe një nga dokumentet e sipërpërmendura.
Të gjitha dokumentet duhet të jenë në gjuhën shqipe, në origjinal ose të njehsuara me origjinalin
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb