Shteti i Katarit mori pjesë mëngjesin e të hënës në “Takimin Ministerial të Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS”, i cili u mbajt kryeqytetin e Italisë, Romë.
Delegacionin Katarian u kryesua nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i cili falënderoi Ministrin e Jashtëm Italian Luigi Di Maio për pritjen e takimit, si dhe përshëndeti anëtarët e rinj në koalicion, duke theksuar nevojën urgjente për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, krahas rritjes së përpjekjeve për ndërtimin e kapaciteteve në vendet ku ISIS përfaqëson ende një kërcënim ekzistues ose në rritje.

Ministri i Jashtëm shprehu krenarinë e Katarit për bashkëpunimin midis shteteve anëtare dhe partnerëve të tyre në terren për mbrojtjen e komuniteteve të prekura nga organizatat ekstremiste, si dhe theksoi angazhimin e vendit të tij për të vijuar punën në mbështetje për largimin e luftëtarëve të huaj dhe rehabilitimin e familjarëve të tyre në vendet e origjinës, pasi ata vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga ndikimi radikal.

Katari pohon vendosmërinë për të vazhduar punën si partner ndërkombëtar efektiv në parandalimin e plagës së terrorizmit
E ndërsa përsëriti se Shteti i Katarit dënon terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij kudo që ai kryhet dhe me çfarëdo justifikimi, Sheikh Al Thani konfirmoi vendosmërinë e vendit të tij për të vazhduar punën si partner ndërkombëtar efektiv në parandalimin e fenomenit të terrorizmit.

Ai theksoi se “Parandalimi dhe lufta kundër terrorizmit janë fusha që kërkojnë shkallën më të lartë të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Kombet e Bashkuara luajnë një rol qendror në ringjalljen e bashkëpunimit shumëpalësh, siç është dhe thirrja e kësaj konference të nivelit të lartë. Ne shpresojmë që kjo konferencë të kontribuojë në ndërtimin dhe zhvillimin e rezultatit të Konferencës së Parë të mbajtur në vitin 2018 dhe të mbledhjes virtuale të vitit të kaluar”.
“Për të siguruar efektivitetin e përpjekjeve tona të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmin të dhunshëm, duhet të punojmë për adresimin e shkaqeve kryesore të terrorizmit duke mbështetur programe në fusha integruese si arsimi, punësimi i të rinjve dhe kundërshtimi i diskursit ekstremist. Kërcënimi terrorist është kompleks dhe terroristët vazhdojnë të shfrytëzojnë mjetet teknologjike dhe rrethanat ndërkombëtare si pandemia Covid-19, për të çuar më tej aktivitetet dhe sulmet e tyre”, shtoi ai.

Gjithashtu, Ministri Katarian theksoi hapjen në Doha këtë muaj të Zyrës së Programit të Kombeve të Bashkuara për Angazhimin Parlamentar në Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e modeleve legjislative për të drejtat e viktimave të ekstremizmit të djathtë dhe të aktivizimit të rolit të parlamenteve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Në Katar po punohet gjithashtu për të shfrytëzuar fushën e sporteve në luftën kundër terrorizmit, përmes Qendrës Ndërkombëtare për Sigurinë Sportive,” zbuloi ai.
Sheikh Al Thani nënvizoi se Shteti i Katarit është i përkushtuar për zbatimin e integruar të Strategjisë Globale Anti-Terrorizëm të OKB-së përmes katër shtyllave të saj, si dhe instrumenteve përkatëse ndërkombëtare dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit, ndërsa shtoi se “Katari ka përditësuar legjislacionin dhe rregulloret e tij kombëtare në lidhje me antiterrorizmin, pastrimin e parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit, duke hartuar një strategji kombëtare në këtë drejtim, krahas bashkëpunimit me agjencitë e sigurisë në vendet mike. Shteti i Katarit gjithashtu ka bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm me organet përkatëse të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht Drejtorinë Ekzekutive të Antiterrorizmit dhe UNOCT (Zyra e Kombeve të Bashkuara Kundër-Terrorizmit)”.

Në këtë kuadër, ai konfirmoi përkushtimin e Katarit në partneritetin e tij me UNOCT si një kontribues dhe partner i madh në zbatimin e projekteve pioniere që synojnë realizimin e rezultateve të prekshme, si Programi Global Kundër Kërcënimeve Terroriste dhe Synimeve të Rrezikshme, Programi Kundër Udhëtimit Terrorist dhe Forumi i Parë Vjetor për Përfituesit e Ndihmës Teknike, i cili do të mbahet së bashku me UNOCT në Doha, tetorin e ardhshëm”.

Katari nënvizon mbështetjen e vendosur për përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje politike të krizës siriane
Nga ana tjetër, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani nënvizoi mbështetjen e vendosur të Katarit për përpjekjet ndërkombëtare dhe të OKB-së në arritjen e një zgjidhjeje politike të krizës siriane, në përputhje me Komunikatën e Gjenevës 1 (të vitit 2012) dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit.
Ai tha se ka ardhur koha tashmë për të vepruar në një formë tjetër pas më shumë se 10 vjet tragjedish njerëzore dhe vuajtjesh për popullin sirian, në mënyrë për të gjetur mundësi dhe iniciativa që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës siriane në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit.
Ministri i Jashtëm Katarian theksoi nevojën për caktimin e një date specifike për përfundimin e hartimit të një kushtetute të re Siriane, e cila do t’i hapë rrugën kalimit në fazën e dytë, që përfshin mbajtjen e zgjedhjeve të reja politike në Siri.
Gjithashtu, ai theksoi nevojën për sigurimin e mjedisit të duhur për shpërndarjen e ndihmave të domosdoshme në të gjitha rajonet e Sirisë pa përjashtim, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit, veçanërisht Rezolutën Nr. 2533 mbi kalimet kufitare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: