Qyteti i Slovianskut, që ndodhet në lindje të Ukrainës, mund të shndërrohet në objektin e radhës të sulmit të forcave ruse në kuadër të fushatës së tyre për pushtimin e rajonit të Donbasit. Autoritetet lokale e akuzojnë Rusinë për sulme ajrore me bomba thërrmuese në zonat e banuara me civilë. Agjencia e lajmeve Associated Press shoqëroi kryebashkiakun e Slovianskut dhe pa nga afër përgatitjet e qytetit për pushtimin rus. Materiali në vazhdim përmban pamje të rënda.

Kryebashkiaku i Slovianskut thotë se është e rëndë të shohësh trupat e viktimave nëpër rrugë, ndërsa sulmet ruse në qytetin lindor të Ukrainës vazhdojnë të intensifikohen.

Nëse Moska arrin të pushojë Lysyçanskun, qyteti i tij mund të kthehet në një objektiv tjetër të madh të operacionit të Rusisë për marrjen nën kontroll të qendrës industriale të Ukrainës, kryesisht rusishtfolëse, të Donbasit.

Qyteti i Lysyçanskut, rreth 70 kilometra në lindje të Slovianskut, është bastion i fundit i Ukrainës në provincën e Luhanskut.

Megjithë situatën, kryebashkiaku Vladim Lyakh po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar qytetin e tij, duke koordinuar ndihmën humanitare dhe shtuar mbrojtjen.

“Duhet të jemi të fortë, nuk mund të pushojmë, duhet të punojmë”, thotë ai.

Agjencia e lajmeve Associated Press shoqëroi zotin Lyakh dhe ishte dëshmitare e asaj që autoritetet e përshkruajnë si “sulm me bomba thërrmuese” në një zonë banimi.

Kryebashkiaku thotë se Sloviansku bombardohet të paktën katër ose pesë herë në ditë. Sipas tij përdorimi i municioneve thërrmuese është rritur në javën e fundit.

Shpërthimet dëgjohen rregullisht ndërsa sirenat për sulme ajrore janë bërë pjesë e përditshmërisë në Sloviansk.

Tre e katërta e popullsisë së qytetit është larguar, por zoti Lyakh thotë se numri i civilëve në qytet është ende i madh, duke përfshirë dhe shumë fëmijë.

Ai u bën thirrje banorëve të largohen.

“Kur të përballemi me rrezikun e hyrjes së trupave të armikut në qytet, më duhet të largohem”, thotë kryebashkiaku.

Sloviansku është një qytet i ndarë.

Më 2014 një pushtim i shkurtër nga separatistët e mbështetur nga Rusia terrorizoi këtë vend. Shumë njerëz u vranë dhe dhjetëra zyrtarë e gazetarë u morën peng.

Pas luftimeve dhe bombardimeve të ashpra ushtria ukrainase rimorri kontrollin e qytetit.

Shumica frikësohen për të ardhmen e qytetit të tyre, nëse pushtohen nga forcat ruse.

Por qyteti ka gjithashtu një numër të madh pensionistësh dhe nuk është çudi të dëgjosh banorë të moshuar të shprehin simpati për Rusinë dhe mosbesim ndaj ushtrisë dhe qeverisë ukrainase.

Forcat ruse thuhet se po përparojnë në ofensivën e tyre për kapjen e Lysyçanskut.

Gjatë fundjavës, ushtria ruse dhe separatistët pro tyre larguan trupat ukrainase nga qyteti fqinj i Lysyçanskut, Sievierodonetsku.

Rusia tani kontrollon 95 për qind të territorit të Luhanskut dhe rreth gjysmën e Donetskut./VOA