Pas vrasjes me thikë të një 41-vjeçari në Sarandë nga kamarieri 24-vjeçar i hotelit për sherrin për një vend parkimi dhe krimit për motive të dobëta në Elbasan ku Madrit Ulqinaku u ekzekutua me pistoletë me silenciator nga një 18 vjeçar, një atentat me dy të vdekur dhe 1 të plagosur është shënuar në Panaja të Vlorës.

Për ngjarjet e rënda të ndodhura në harkun kohor të 24 orëve ka reaguar me një postim në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

“Vrasjet e raportuara përditshëm dhe mungesa e reagimit të qeverisë po krijojnë pasiguri të plotë tek qytetarët, kujtdo që i shkrepet godet kudo dhe pa pasur asnjë frikë nga autoriteti i shtetit.  Adoleshentë qē lëvizin me armë në mes të qytetit si në Elbasan, shkrehja e armëve në mes të rrugës kombëtare sot në Vlorë, vrasjet tipike mafioze të pazbardhura në Fushë Krujë dhe Laç dhe gjëndja permanente e kriminalitetit e kanë nxjerrë qeverinë nga loja, sovranitetin në territor duket sikur e kanë bandat!”, shkruan Salianji.

Sipas deputetit demokrat “gjendja e kriminalitetit është alarmante” dhe vihet re një neglizhencë e frikshme nga ana e shtetit.

“Mungesa e autoritetit të shtetit vjen kryesisht si pasojë e bashkëpunimit të qeverisë me bandat gjatë zgjedhjeve për ti përdorur si patronazhista dhe pas zgjedhjeve për t’iu dhënë pasuri publike, tendera dhe emërime në asministratë! Degradimi i situatës po shkon paralelisht me degradimin e qeverisjes, duhet një qeveri që të ketë aleat qytetarët dhe jo krimin!”, thekson ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb