Pandemia Covid-19 solli miliona vdekje në botë dhe mijra në Shqipëri, por rastësisht u bë sebep që të matet ekzaktësisht sa banorë të rritur votojnë këtu. Meqë kufijtë e vendit ishin mbyllur prej pandemisë, vetëm zgjedhësit me banim këtu mund të votonin atëherë. Rreth 1.65 milionë votuan në total më 25 prill 2021, e nga këta, rreth 6000 në territorin e Bashkisë Himarë (23 fshatra gjithsej) dhe 4200 në atë të Bashkisë Konispol (17 fshatra gjithsej).

Po i theksoj këto dy bashki të vogla, sepse tani që po priten rezultatet e Censit, ato janë në qendër të vemendjes së opinionit publik rreth pyetjes mbi përbërjen e tyre etnike. Në qoftë se përqindja e të vetëdeklaruarve si etnikë grekë në këto bashki rezulton mbi 20%, ato duhet të konsiderohen zyrtarisht si bashki minoritare, me privilegje të ngashme me bashkitë tashmë zyrtarisht minoritare të Dropullit e Finiqit.

Rreziku i deformimit statistikor të regjistrimit të popullsisë në bashkitë Himarë dhe Konispol mund të ketë ardhur kryesisht nga emigrantët që mund të kenë “vizituar” vendlindjen sa për të regjistruar familjarët e tyre si banues këtu, ndërkohë që janë banues permanentë në Greqi. Censi kudo në botë ka për detyrë të regjistrojë vetëm banorët e një vendi, e jo banorët e vendeve të tjera – për emigrantët, mund të grumbullojë thjesht të dhëna plotësuese.

Në fakt, ardhja e emigrantëve nga Greqia me autokolona autobuzësh në kufi u demonstrua vjet më 14 maj, kur në Bashkinë Himarë votuan rreth 2 mijë zgjedhës më shumë se sa gjatë pandemisë (kur kufiri ishte i mbyllur), ndërsa në Bashkinë Konispol, rreth 300 më shumë.

Një rrezik tjetër për deformimin statistikor të regjistrimit të popullsisë në bashkitë Himarë dhe Dropull mund të ketë ardhur nga praktika e anketueseve të Censit për të pyetur gjitonët rreth familjeve ku nuk përgjigjet askush kur trokasin. Gjitonët mund të japin të dhëna për pjestarët e famijes përbri, pavarsisht se ajo ka vite që banon në Greqi…

Dhe një rrezik i tretë mund të ketë ardhur prej anketueseve lokalë të Himarrës e Konispolit, që i dinë historikisht origjinat etnike të familjeve, dhe për t’i rënë shkurt, regjistrojnë si banues këtu edhe pjesëtarë që kanë emigruar me kohë në Greqi.

Duke u kthyer te shifrat 6000 dhe 4200 të pjesëmarrësve në zgjedhjet e 25 prillit 2021 (kur kufijtë ishin mbyllur prej pandemisë dhe zgjedhësit nuk mund të vinin me autobuzë nga Greqia), mund të thuhet se ato shërbejnë si një letër lakmusi statistikor i Himarës e Konispolit, për të kuptuar nëse ka pasur ndonjë rritje artificiale të numrit të banorëve të rritur (18 vjeç e sipër) gjatë zhvillimit të Censit. Në vitet e fundit, vërtet që disa votues të prillit 2021 mund të kenë vdekur në këto dy bashki të vogla, por të rinjtë që i zëvendësojnë ata mund të kenë marrë rrugën e emigracionit ndërkohë. Pra, mund të priten më pak se 6000 banorë të rritur në Bashkinë Himarë e më pak se 4200 në Bashkinë Konispol, por jo më shumë…

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb