Kryetarja e Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Grida Duma është përplasur sot me deputetët socialistë teksa po diskutohet akti normativ “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”.

Duma pyeti zv.ministrin e Infrastrukturës, Ilir Bejtja nëse kompanitë i kthejnë ndonjë pjesë të fitimit shtetit, kur i marrin materialet me çmim më të ulët. Pyetja e saj shkaktoi debate të ashpra në Komision.

Debati

Ilir Bejtja: Ky akt normative vjen si domosdoshmëri për të vazhduar vazhdimin e kontratave të lidhura që në 2020 dhe vazhdojnë deri në fund të 2022. Ajo që ne kemi vënë re për shkak të ndryshimit të strukturës së çmimeve në treg për pjesën e materialeve bazë si hekuri, bitumi, alumini, bakri dhe zinku, është vënë re që kjo rritje çmimesh është e tillë që del përtej vlerës së kontratave dhe të lidhura dhe kemi shumë kontrata që kanë stopuar ose janë në vonesë. Arsyeja e vetme është rritja e madhe e çmimeve.

Grida Duma: Vaji është rritur me 50%, veza me 200%, nafta 2700 lekë litri, ne zgjedhim qe taksat e shqiptarëve të mos rishpërndahen. Shqiptarët janë të fundit në rajon për të ardhurat për frymë. Ne me 400 milionë që ia marrim shqiptarëve në çmimet e rritura ia cojmë Salillarit, Gjokës dhe emrave të mëdhenj. Kur këto kompani kanë marrë 99.9% të fondit limit, dhe kur janë ulur çmimet, shteti ka shkuar dhe ti thotë na e kthe një pjesë të fitimit se janë ulur çmimet? Këta duhet të shkojnë në ndjekje penale. Ju keni çuar në burg për një armë me peshk. Kjo është anti-kushtetuese. Shteti ka marrë ndonjëherë më shumë fitim nga këta, i është kthyer mbrapsht? Ka shkuar shteti ti thotë që meqë janë ulur çmimet të ulet çmimi i pagesës?

Ilir Bejtja: Shteti nuk është ortak në kompani që të rishpërndajë fitime. Ka një procedurë tenderimi public që zgjedh një fitues. Mbi bazën e asaj gare shpallet fituesi. Nëse oferta ka ndryshuar ne themi le të vazhdojë deri aty ku pranohen ndryshimet. Ne nuk i hyjmë te fitimi se nuk jemi diktaturë proletariat.

Grida Duma: Mos flisni ju për diktaturë proletariati se ju jeni diktaturë mjerimi.

Anila Denaj: Zv.ministri ka ardhur për sqarim Teknik.

Grida Duma: Nuk ka nevojë ta mbroni. Ju nuk i ikni dot kësaj çështje.

Anila Denaj: Debatin bëjeni me ne, por pa e sulmuar.

Grida Duma: Kur zv.ministri që është nivel politik.

Anila Denaj: Ne nuk jemi komision ekonomie.

Grida Duma: Se çfarë jemi do ta drejtoj ashtu siç mendoj se jemi. E di që keni ardhur në rradhë, ju e respektoni edhe urdhrin. Në rast se nuk doni komente, unë nuk e vijoj. Më erdhi mesazh që japin miliona euro për Kardhiq- Delvinë, ndërkohë që ata spo marrin 50% të bonusit të strehimit.

Ilir Metaj: Po vazhduat kështu do bëhet më keq.

Grida Duma: E di që do bllokoni mbledhjen.

Ilir Bejtja: Nuk kemi listë kompanish që kompensohen. Kompensohen materialet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb