TIRANE- Pas videove të publikuara në media, ku dy militantë të ISIS kërcënonin Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, Policia e Shtetit ka përforcuar edhe më shumë masat ndaj ekstremistëve. Burime policore sqarojnë se janë shtuar masat për mbajtjen nën kontroll të gjithë elementëve që dyshohet se kanë lidhje me xhihadistët.

Ndërkohë, janë urdhëruar të gjithë që të marrin masat dhe të kërkojnë nga vendet fqinje informacion për lëvizje të mundshme të dyshuarish nga ISIS drejt Shqipërisë. Por, pas kërcënimeve që ka shprehur publikisht, Almir Daci se do të vijë të vrasë shqiptarët, kanë folur për “News 24” dhe “Gazeta Shqiptare” dy prindërit e Almirit, Xhevahiri dhe Nafija, të cilët e kanë dënuar veprimin e djalit të tyre, që iku sipas tyre pa leje nga shtëpia, duke u thënë se do të shkonte për punë në Arabi dhe jo për të luftuar.

Me lot në sy nëna e Almirit, tha se djalin e saj e kanë mashtruar e gënjyer, ndërkohë që babai veç të tjerash bën fajtor edhe shtetin që e ka lejuar të shkojë në atë vend për të luftuar. “Unë nuk kam as keqardhjen më të vogël për atë njeri. Nëse do të vinte në shtëpi do ta lidhja te pema këtu në oborr. Unë i kërkoj shtetit të më sjellë djalin. Edhe ata kanë faj që e kanë lejuar të shkojë, që kanë hapur kufijtë në të katërta anët. Nuk e kam dërguar unë djalin. Unë do t’i flas ato që më takojnë mua si prind që jam nëse ai kthehet. Ai ishte mysliman i devotshëm, dhe respektohej nga të gjithë, as ka vrarë e as terrorizuar njeri, që e heq shteti për terrorist. Që ka thënë se do vrasë shqiptarët janë thashetheme. Nuk ka mundësi që të vijë të vrasë nënën e babën e tij. Ai është njeri i fesë, dhe vetëm nëse e kanë gënjyer të shkojë e të flasë në atë mënyrë e të marrë pjesë në luftë”, pohon babai i të kërkuarit ndërkombëtar.

Xhevahir Daci flet edhe për kohën kur u largua drejt Sirisë, Almiri, duke mashtruar edhe familjen e tij. “Ai ka ikur pa lejen time. Atë e hoqi nga puna myftiu i Pogradecit, dhe i mbetën fëmijët pa bukë, ndaj na tha se do të shkonte për të punuar në Arabi. Më vonë ne morëm vesh që ai ishte bërë pjesë e luftës xhihadiste. Kur shkoi andej e mori edhe nusen bashkë me 2 vajzat e vogla që ishin në kopsht, dhe andej ka lindur dhe djalin e vogël që është akoma foshnjë”, shprehet babai i Almirit. I pyetur nëse ai ka dijeni se djali i tij ka kërcënuar edhe gazetarë, Xhevahir Daci shprehet se nuk ka dijeni për një gjë të tillë. “Neve nuk dimë asnjë gjë lidhur me kërcënimet e tij ndaj gazetarëve, dhe nuk mendojmë se ai bën veprime të tilla, sepse gjithmonë ka qenë njeri i punës dhe besimtar i devotshëm. Me siguri atë e kanë gënjyer, që kryen veprime të tilla. Nuk ka mundësi tjetër. Sa për familjen e Denisit, që u vra në Siri, ata na mbajnë mëri, sepse mendojnë se djali ynë e mori në qafë të birin e tyre, por kjo nuk është e vërtetë. Ai shkon çdo ditë pranë shtëpisë sonë, dhe nuk na flet më me gojë që prej asaj dite që iu vra djali”, u shpreh Xhevahir Daci, babai i Almirit.

(Elton Dono/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: