Në Prokurorinë e Posaçme SPAK është depozituar sot kërkesa për verifikimin dhe hetimin e shkeljeve të konsumuara nga 22 Kryetarë Bashkish në zgjedhjet e 14 majit, nëpërmjet përdorimit të aseteve publike dhe mos përmbushjes se detyrimeve ligjore te parashikuara ne Kodin Zgjedhor.
Kërkesa është dorëzuar nga Qëndresa Qytetare, e cila në një raport të detajuar thotë se veprimet e kryetareve te bashkive plotësojnë te gjitha elementet e figurave të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar në nenin 248, të Kodit Penal, si dhe të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar në nenin 327/a, të Kodit Penal.
Nisur nga ky konstatim, Qëndresa Qytetare thotë se inkurajon SPAK dhe drejtuesin e saj që pas verifikimit te rasteve, të fillojë ushtrimin e ndjekjes penale me qëllim jo vetëm dhënien e drejtësisë, por dhe dekurajimin e sjelljeve që shtrembërojnë barazinë e subjekteve në zgjedhje dhe dëmtojnë zgjedhjet e lira dhe të barabarta. “Nga ana tjetër inkurajojmë Departamentin e Administratës publike, te marrë masat e duhura disiplinore për 31 Sekretaret e Përgjithshëm dhe zyrtaret me status te nëpunësit civil, te gjendur me shkelje ne zgjedhjet e 14 Majit.
Inkurajojmë KQZ t’i adresoje ne kohe ne organet e hetimit penal te gjitha rastet e evidentuara me dyshime për figura te veprave penale ne zgjedhjet vendore apo qendrore”, thuhet në konkluzionet e raportit. Kur na ndajnë një vit nga zgjedhjet Parlamentari, Qëndrësa thekson se “kontributi i çdo strukture ka rendësi, për te mbajtur Shkollat, Kopshtet, Spitalet, zyrtaret dhe parat publike larg përdorimit për qëllime elektorale”. “Çdokush qe do te vendose partine përpara detyrës publike do duhet te përballet me drejtësinë”.