Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Ermir Ndrejajn, duke rrëzuar ankimin e tij për zëvendësimin e saj me “arrest në shtëpi”.
Vendimi u mor këtë të martë nga gjyqtarja monokratike Saida Dollani, e cila shqyrtoi ankimin e Ndrejajt kundër vendimit nr. 367, datë 20 maj 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Në ankimin e paraqitur, ai kërkoi nga Prokuroria e Posaçme zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me masën “arrest në shtëpi”.
Njoftimi i Apelit:
Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli i GJKKO vendosi të miratojë vendimin e Shkallës së Parë, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Ndrejajn.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 07.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 190 akti, datë 30.06.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.N: “Ankim kundër vendimit nr. 367, datë 20.05.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:
1) Në zbatim të pikës 6 të nenit 246, të Kodit të Procedurës Penale, kërkohet depozitimi i informacionit me shkrim dhe të dhënat nga Prokuroria e Posaçme, mbi gjendjen e procedimit penal Nr. 184/3 të vitit 2024, sa i përket personit nën hetim E.N.
2) Kërkohet zëvendësimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj kërkuesit me Vendimin nr. 77 Akti, datë 27.07.2025, nga Gjykata Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E.N.”, si vijon:
1- Miratimin e disponimit nr. 367 akti, datë 20.05.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ermir Ndreaj, akuzohet për trafik droge, ndërsa dyshohet se ka kontrabanduar tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, duke përdorur kompani “fasadë” për trafikim.
