Sot u lançua “Laboratori i Inovacionit 2.0”, një nismë që synon mbështetjen me fonde dhe ekspertizë të ideve dhe sipërmarrjes rinore në mbarë vendin.

“Laboratori Inovacionit 2.0” është një iniciativë e ndërmarrë nga CATI Foundation, Fondacion i themeluar nga politikania, filantropia dhe gruaja në biznes, Keti Bazhdari. Kjo nismë e CATI Foundation nuk është e para, dhe vjen nga një histori suksesi 2-vjeçare, shënuar me “Laboratorin e Inovacionit 1.0”, nga ku morën jetë sot e kësaj dite 5 biznese rinore të suksesshme në qytetin e Shkodrës.
Këto biznese ishin pjesë e panairit të organizuar nga “Beyond Barriers” për të ndarë eksperiencën e tyre me të gjithë të pranishmit.

Tani në këtë fazë të dytë “Laboratori i Inovacionit 2.0” do shtrihet në gjithë Shqipërinë.
Kjo nismë është mbështetur nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Arsimit duke mundësuar një aksesueshmëri më e lartë të “Laboratorit Inovacioni 2.0” nga ana e të rinjve.

Në fjalën e saj, ku bëri të njohur këtë nismë, politikania dhe filantropia Keti Bazhdari, ka shpjeguar arsyet përse “Laboratori i Inovacionit 2.0” u vendos si iniciativë strategjike për “CATI Foundation”.

“Shqipëria ka shumë sfida, por mund të themi që ekziston një traditë për të gjetur zgjidhje nëpërmjet inovacionit dhe bashkëpunimit rajonal. Këtë traditë ne duhet ta kthejmë në moton tonë. Mobiliteti rinor dhe një ekosistem fleksibël i sipërmarrjes rinore, janë vlera të rëndësishme për ekonominë në përgjithësi e atë shqiptare në veçanti, pasi ndezin potenciale thuajse të pashfrytëzuara të ekonomisë sonë dhe na krijojnë mundësinë, që në një të ardhme të shpejtë, të jemi konkurrues në tregjet rajonale dhe ato evropiane. Nëse në një të nesërme të afërt duam të flasim për një Shqipëri pa barriera, duhet të fillojmë që sot të mendojmë përtej barrierave. Kjo është dhe arsyeja kryesore pse “Laboratori i Inovacionit 2.0” u vendos si iniciativë strategjike për “CATI Foundation”, në mbështetje të aksionit rinor shqiptar drejt një ekonomie të bazuar në dije dhe sipërmarrje”, u shpreh Bazhdari.

Mbështetje ndaj sipërmarrjeve dhe ideve në bizneset e të rinjve, ka dhënë gjithashtu Bashkia e Tiranës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve AIDA. I pranishëm në panairin ku u lançua “Laboratori i Inovacionit 2.0”, drejtori i AIDA-s Genti Beqiri inkurajoi të rinjtë të bëhen pjesë e nismave të tilla, ndërkohë që Zv. Kryetare e Bashkisë Brunilda Paskali, theksoi veçanërisht mbështetjen për bizneset e iniciuara nga femrat.

“Laboratori i Inovacionit 2.0” do të vijë si një konkurs idesh, në të cilin mund të përballen të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe ku më të mirët, do të kenë mundësi reale për të parë të konkretizuar planin e tyre të sipërmarrjes, falë një suporti ekspertize dhe mbështetjeje financiare.

E ardhur vetë nga fusha e biznesit, të cilin gjithashtu e ka nisur në një moshë shumë të re, Keti Bazhdari ka qenë e qartë në objektivat e vendosura dhe synimet ku dëshiron të mbërrijë:

“Objektiv kryesor, përveç mbështetjes direkte financiare të ideve dhe sipërmarrjes rinore, nga ana jonë, është të orientojmë dhe sa më shume iniciativa mbështetëse për start up-et e të rinjve, në një mjedis të përbashkët social e juridik, si dhe të projektojmë rritje e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke sendërtuar modele të shëndetshme dhe të suksesshme të sipërmarrjes e konkurrencës së lirë, larg modeleve famëkeqe të korrupsionit dhe përfitimit të paligjshëm, që prodhoi tranzicioni shqiptar. Ky model sipërmarrje që ka në qendër novacionin dhe transparencën, është i vetëmjaftueshëm të sfidojë, në një treg me rregulla të qarta loje, çdo model të devijuar të tranzicionit”.

Në fazën e tij të dytë, projekti do të udhëtojë në disa nga qytetet kryesore të vendit, ku të rinjtë do të kenë mundësinë të njohin detajet për aplikimin online dhe procedurat e prezantimit të ideve konkrete mbi sipërmarrjet. Në mënyrë që mesazhi të përhapet në të gjithë vendin “CATI Foundation” bashkëpunon me organizatën ombrellë “Kongresi Rinor Shqiptar”, që ka shprehur gatishmërinë për të vënë në dispozicion të “Laboratorit të Inovacionit 2.0” një pjesë të mirë të rrjetit të organizatave që ajo mbulon në Shqipëri.

Në përfundim të fjalës së saj, znj. Bazhdari ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjes rinore, për disa arsye:

“Unë u bëj thirrje që të bashkohemi të gjithë dhe të mbështesim fort sipërmarrjen rinore, pasi është një nga format më të rëndësishme për të mos thënë më e rëndësishmja, për të shënuar;
-vende të reja pune me shifra konkrete për të rinjtë;
-rritje të standardit të përgjithshëm të jetesës
-si dhe shenjën e barazimit mes rritjes së mirëqenies ekonomisë personale dhe rritjes e civilizimit të shoqërisë. Kjo është Shqipëria pozitive që ne duam!”, tha ajo

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb